
Qytetarët janë mbledhur sërish këtë të mërkurë në Tiranë, në ditën e 25-të radhazi të protestës kundër kryeministrit Edi Rama. Tubimi, i cili prej javësh po zhvillohet në kryeqytet, ka vijuar me marshimin e protestuesve drejt godinës së Kryeministrisë, aty ku mbahen fjalimet kryesore të protestës.
Pas fjalimeve, qytetarët do të marshojnë në rrugët kryesore të Tiranës, duke valëvitur flamuj kombëtarë dhe duke lëshuar thirrje në shenjë revolte ndaj qeverisë dhe sistemit politik.
Protestuesit kanë përsëritur kërkesën e tyre kryesore se, dorëheqja e kryeministrit Edi Rama është e panegociueshme. Njëkohësisht, ata kanë kërkuar që Strukturat e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të veprojnë dhe të japin drejtësi.
Mesazhet e tyre janë shprehur edhe përmes thirrjeve dhe pankartave të mbajtura gjatë marshimit. Disa prej tyre mbanin mbishkrimet: “Atdheu nuk është në shitje”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Programi i qeverisë Rama: F*ck you”, “Rama jep dorëheqjen”, “Edi Rama o legen, prite popullin se po vjen”, dhe “Edi Rama o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj pazar”.
Protestuesit iu referuan edhe deklaratave të fundit të kryeministrit Edi Rama për median ndërkombëtare "Financial Times", duke iu përgjigjur gjatë protestës me të njëjtat mesazhe që, sipas tyre, janë përdorur ndaj qytetarëve që kundërshtojnë qeverinë.
Tubimi i sotëm shënon ditën e 25-të të një serie protestash të pandërprera, të cilat organizatorët dhe pjesëmarrësit i konsiderojnë si një shprehje të pakënaqësisë qytetare ndaj qeverisjes aktuale dhe funksionimit të institucioneve në vend.
Vazhdoni dhe jeni te bashkuar se fitorja po vjen