Protestuesit kanë ripërsëritur thirrjet si “Poshtë diktatura”, “Rama jep dorëheqjen”, “Revolucion” dhe “Shqipëri e re”...
Ka nisur marshimi për herë të 25-të drejt Kryeministrisë, ku qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur sërish për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë së tij.
Gjatë grumbullimit, protestuesit kanë hedhur thirrje si “Poshtë diktatura”, “Rama jep dorëheqjen”, “Revolucion” dhe “Shqipëri e re”, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisjes.
Mes pankartave të mbajtura nga protestuesit lexohej edhe mesazhi: 'Duhet të largohet kjo qeveri, sepse na ka vjedhur'.
Një nga protestuesit, në një prononcim gjatë grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, u shpreh se një nga kërkesat kryesore të lëvizjes është ndryshimi i Kodit Zgjedhor, të cilin e konsideroi të domosdoshëm për garantimin e një përfaqësimi më të drejtë politik. Ai deklaroi se është i vendosur të vazhdojë pjesëmarrjen në protesta dhe në çdo formë demokratike reagimi qytetar deri në largimin e qeverisë aktuale, duke theksuar se sipas tij vendi ka nevojë për ndryshim politik dhe institucional.
Organizatorët e konsiderojnë protestën e sotme si kulmin e një serie mobilizimesh qytetare që kanë vijuar prej më shumë se tri javësh. Sipas tyre, pakënaqësia qytetare ka tejkaluar tashmë kauzën fillestare dhe është shndërruar në një reagim më të gjerë ndaj korrupsionit, keqqeverisjes, mungesës së llogaridhënies dhe fenomenit të emigrimit të të rinjve.
Mbrëmjen e së martës u zhvillua protesta e 24-t, gjatë së cilës protestuesit marshuan në disa akse kryesore të kryeqytetit përpara se të mblidheshin para godinës së Kryeministrisë. Në përfundim të tubimit, pjesëmarrësit përsëritën kërkesën e tyre kryesore që janë; dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, krijimi i një qeverie teknike tranzitore me mandat jo më pak se 12 muaj, ndryshime kushtetuese që do të miratohen me referendum, si dhe ndryshime në ligjin për financimin e partive politike.
Po ashtu, protestuesit kërkojnë kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.
Edhe për protestën e sotme pritet pjesëmarrje e lartë, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për vijimin e mobilizimit qytetar deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Lini një Përgjigje