Protestuesit e mbledhur këtë të mërkurë në Tiranë kanë ripërsëritur kërkesat e tyre kryesore gjatë protestës së 25-të kundër qeverisë. Para Kryeministrisë, pjesëmarrësit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e qeverisë dhe ndryshime në sistemin politik.
Një prej aktivistëve foli në podiumin e improvizuar teksa theksoi se qytetarët do e përshkallëzojnë protestat e tyre nëse pushtetarët vijojnë të uzurpojnë karriget me korrupsion.
Aktivisti: Nuk shkulen nga karriget e institucioneve. Përshkallëzimi i qytetarëve do shkojë deri në bllokimin e institucioneve nëse këta pushtetarë të korruptuar do vazhdojnë t’i uzurpojnë ato me dhunë.
Me pankarta dhe thirrje të shumta, qytetarët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj asaj që e konsiderojnë keqqeverisje, korrupsion dhe mungesë të llogaridhënies nga institucionet shtetërore. Mes sloganeve më të dëgjuara gjatë tubimit ishin “Rama jep dorëheqjen”, “Poshtë diktatura”, “Revolucion” dhe “Shqipëri e re”.
Disa prej protestuesve kanë kërkuar gjithashtu ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duke argumentuar se nevojiten reforma që garantojnë përfaqësim më të drejtë dhe më shumë mundësi për qytetarët në proceset vendimmarrëse.
Lini një Përgjigje