FIFA ka vendosur që ndeshjet vendimtare të fazës së grupeve në Kupën e Botës 2026 të mos ndërpriten për të ruajtur sinkronizimin me sfidat e tjera të grupit, edhe në rast se njëra prej tyre vonohet për shkak të kushteve atmosferike. Vendimi ka nxitur shqetësime se mund të krijohen situata që cenojnë barazinë sportive, duke rikthyer në kujtesë skandalin e njohur si "Turpi i Gijónit".
Duke nisur nga kjo mbrëmje, ndeshjet e fundit të fazës së grupeve do të zhvillohen njëkohësisht, një praktikë e vendosur prej dekadash për të shmangur kalkulimet mes skuadrave dhe për të garantuar integritetin e garës. Megjithatë, sipas Daily Mail Sport, nëse njëra prej ndeshjeve ndërpritet për shkak të motit, sfida tjetër do të vazhdojë normalisht dhe nuk do të pezullohet.
Në praktikë, kjo mund të sjellë një situatë ku një ndeshje përfundon, ndërsa tjetra vazhdon ende. Kështu, ekipet që ndodhen në fushë në takimin e vonuar do të kenë informacion të plotë mbi rezultatin e ndeshjes tjetër dhe do të dinë saktësisht se çfarë rezultati u nevojitet për t'u kualifikuar në fazën e 1/32-ve.
Ky skenar ka rikthyer krahasimet me "Turpin e Gijónit", një nga episodet më të debatueshme në historinë e Kupës së Botës. Në Botërorin e vitit 1982, Gjermania Perëndimore fitoi 1-0 ndaj Austrisë, rezultat që kualifikonte të dyja ekipet në fazën tjetër. Pas golit të shënuar në fillim të takimit, të dyja skuadrat u akuzuan se shmangën çdo përpjekje serioze për të ndryshuar rezultatin, duke shkaktuar reagime të forta në opinionin publik.
Megjithëse FIFA nuk konstatoi shkelje të rregullave në atë ndeshje, polemikat çuan në ndryshimin e formatit të garës. Që prej atëherë, ndeshjet e fundit të çdo grupi zhvillohen në të njëjtën orë për të eliminuar mundësinë e marrëveshjeve apo kalkulimeve taktike.
FIFA ka bërë të ditur gjithashtu se nuk do të vendosë kufizime kohore për ndeshjet që ndërpriten për shkak të motit. Çdo takim do të rifillojë dhe do të luhet deri në përfundim, pavarësisht kohëzgjatjes së vonesës.
Rasti i parë i një ndërprerjeje të tillë u regjistrua të hënën në sfidën mes Francës dhe Irakut, e cila u pezullua në pushimin mes pjesëve për shkak të stuhive, me Francën që kryesonte 1-0. Ndeshja rifilloi pas afro dy orësh dhe përfundoi me fitoren 3-0 të francezëve. Takimi, i cili nisi në orën 17:00 sipas kohës lokale, u mbyll vetëm në orën 20:47.
Mbetet për t'u parë nëse kushtet atmosferike do të ndikojnë edhe në ndeshjet vendimtare të fazës së grupeve dhe nëse ky rregull do të sjellë polemika të reja për ndikimin e tij në garën për kualifikim.
Lini një Përgjigje