Studentët shqiptarë në Maqedonia e Veriut kanë zhvilluar një protestë në Shkup, duke kundërshtuar zhvillimin e provimit të jurisprudencës kryesisht në gjuhën maqedonase, pavarësisht statusit zyrtar të gjuhës shqipe në vend.
Protesta u shoqërua me pankarta në qendër të kryeqytetit, ku një nga mesazhet kryesore ishte: “Ligji në letër, diskriminim në praktikë”. Në tubim mori pjesë një numër i konsiderueshëm studentësh.
Provimi i jurisprudencës, i domosdoshëm për ushtrimin e profesioneve juridike si avokat, gjyqtar apo prokuror, sipas studentëve zhvillohet në praktikë kryesisht në gjuhën maqedonase, duke krijuar vështirësi për kandidatët shqiptarë.
Sipas tyre, kjo situatë përbën një pengesë të drejtpërdrejtë dhe krijon pabarazi në aksesin në profesionet juridike, duke ndikuar edhe në përfaqësimin e shqiptarëve në sistemin gjyqësor.
Studentët kërkojnë që provimi të zhvillohet plotësisht në gjuhën shqipe, me procedura të barabarta për të gjithë kandidatët dhe me zbatim efektiv të të drejtave gjuhësore të garantuara me ligj.
Për këtë ka reaguar edhe Universiteti i Tiranës. Rektori Artan Hoxha thotë se Universiteti i Tiranës bën apel që institucionet përkatëse të respektojnë ligjin dhe të gjejnë zgjidhje të drejta e gjithëpërfshirëse.
"Universiteti i Tiranës shpreh mbështetjen e plotë për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po kërkojnë realizimin e një të drejte themelore: përdorimin e gjuhës së tyre amtare në proceset arsimore dhe profesionale.
E drejta për t’u arsimuar dhe për t’u vlerësuar në gjuhën amtare nuk është privilegj, por një standard i njohur ndërkombëtarisht dhe një element thelbësor i barazisë reale në shoqëri shumëgjuhëshe. Kur studentët ndjekin studimet e tyre në një gjuhë të caktuar, është e drejtë legjitime që edhe vlerësimi përfundimtar profesional të bëhet në të njëjtën gjuhë.
Kërkesa e studentëve shqiptarë për të zhvilluar provimet shtetërore në gjuhën shqipe përfaqëson një aspiratë të drejtë për barazi, dinjitet dhe mosdiskriminim. Mosrespektimi i këtij parimi rrezikon të krijojë pengesa të panevojshme në zhvillimin profesional të tyre dhe të cenojë besimin në institucionet shtetërore.
Universiteti i Tiranës mbështet çdo përpjekje që synon forcimin e të drejtave gjuhësore dhe garantimin e standardeve të barabarta në arsim dhe në jetën publike. Ne inkurajojmë institucionet përkatëse që, në frymën e ligjit dhe të bashkëjetesës demokratike, të gjejnë zgjidhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse.
Respektimi i diversitetit gjuhësor nuk është vetëm detyrim ligjor, por edhe vlerë që pasuron shoqërinë dhe forcon kohezionin social në rrugën e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian", thuhet në njoftimin e UT.
Lini një Përgjigje