
Një punonjës i një kompanie celulare është gjetur i shtrirë pranë antenave në fshatin Krrabë të Fushë-Arrëzit pasi dyshohet se ka pësuar një problem gjatë punës. Sipas të dhënave paraprake, 50-vjeçari kishte shkuar në zonë për të ndërhyrë në një defekt teknik në një antenë, ndërsa u konstatua nga persona të tjerë i shtrirë në terren, në kushte që kërkonin ndërhyrje të menjëhershme.
Pas njoftimit në polici, në vendngjarje mbërritën shërbimet përkatëse dhe u organizua transporti emergjent me helikopter drejt Spitalit të Traumës, ku ai po merr ndihmë mjekësore.
"Rreth orës 09:20, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Pukë ka telefonuar shtetasi Gj. T., i cili ka njoftuar se në fshatin Krrabë ndodhej një person i shtrirë pranë antenave.
Menjëherë, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me shërbimet e emergjencës civile dhe të shëndetësisë, kanë shkuar në vendngjarje tek antenat në zonën e Midës.
Nga verifikimet ka rezultuar se bëhej fjalë për shtetasin L. K., rreth 50 vjeç, punonjës i një kompanie celulare, i cili dyshohet se kishte shkuar për të rregulluar një defekt në një antenë të kompanisë.
Shtetasi L. K. është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës, për ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të rastit", njofton policia.
Lini një Përgjigje