TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Prill 2026, 12:00

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti
UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00
Edicioni Informativ, ora 12:00

Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:

Berisha paraqitet në SPAK

Gjeta Ergys Agasin, vizitorin e shpeshtë të Surrelit

Kreu demokrat, Sali Berisha, u paraqit sot në SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje” një proces rutinë që detyron ish-kryeministrin të shkojë pranë një agjenti të BKH-së, dy herë në muaj.

Pas daljes nga SPAK, Berisha, duke folur për gazetarët iu rikthye sulmeve dhe akuzave në drejtim të Irena Gjokës dhe Altin Dumanit, e para gjyqtarja e GJKKO-së që caktoi masat e sigurisë ndaj tij dhe dhëndrit, Jamarbër Malltezi, ndërsa tjetri ish-kreu i SPAK, që mori të pandehur ish-kryeministrin për dosjen “Partizani”.

Por këtë rradhë në radarin e sulmeve të Berishës ishte edhe Ergys Agasi, për të cilin tha se është një “vizitor i shpeshtë i Surrelit”.

“Aty gjeta Ergys Agasin bashkë me Irena Dumanin, Irena Maneku Gjoka Dumani. Festonin, Gysi festonte se asnjë mandat ndërkombëtar nuk është lëshuar për arrestimin e tij Gysi gjoja është në kërkim, ai në fakt rrugën më të shpeshtë që bën e bën për në Surrel. Ai është vizitor i shpeshtë i Surrelit. Sot thashë Dumani merr dhe mbiemrin Maneku, sepse në një akt më të turpshëm, flagrant të mbrojtjes së krimit, Edi Rama dhe Altin Dumani nxorën të pafajshme Irenën me pesë mbiemra”, tha ai.

Paketa e Maleve

Deputetja zbulon prapaskenat: Shpopullim i fshatrave

Deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata, ka akuzuar qeverinë se përmes “Paketës së Maleve” po zbaton një politikë që, sipas saj, synon tjetërsimin e pronave dhe shpopullimin e zonave rurale në Shqipëri.

Ajo deklaroi se kjo nismë nuk prek vetëm Martaneshin, por të gjitha zonat malore të vendit.
Sipas Vatës, “Paketa e Maleve” është “një mekanizëm për tjetërsimin e pronave dhe shpopullimin sistemik të fshatrave”, ndërsa shtoi se projektet energjetike që po zhvillohen në këto zona janë “dora e fundit e qeverisë për të varrosur bujqësinë dhe blegtorinë”.

Ajo pretendoi se tokat bujqësore dhe kullotat po nxirren në ankand dhe po u jepen personave të lidhur me pushtetin për ndërtimin e parqeve me panele diellore dhe hidrocentraleve.
Deputetja hodhi poshtë argumentet e qeverisë për zhvillim turistik apo mbështetje ndaj ish-pronarëve, duke i cilësuar ato si justifikime.

Vata akuzoi gjithashtu pushtetin vendor për manipulim të të dhënave mbi tokat, duke pretenduar se ato po riklasifikohen nga “toka buke” në “toka jo produktive”, me qëllim kalimin e tyre për projekte energjetike. Sipas saj, kjo praktikë po dëmton drejtpërdrejt ekonominë fshatare dhe po çon drejt braktisjes së zonave rurale.

“S’jam kundër Ogertës”

Braçe: Nuk mund të bësh takime në një zonë pa deputetin përkatës

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, reagoi publikisht për mënyrën si po organizohet puna politike në terren, duke kritikuar zëvendësimin e deputetëve me drejtues administrativë. Braçe e cilësoi “të pamend” praktikën e largimit të deputetit nga zona që e ka votuar dhe zëvendësimin me atë që ai e quan “drejtorokraci”.
Ai gjithashtu foli edhe për mbledhjet e zhvilluara në Njësinë 5 në Tiranë, ku sipas tij, aktivitetet janë organizuar pa praninë e deputetit të zonës.

Braçe adresoi gjithashtu edhe një perceptim të ngritur së fundmi brenda strukturave të PS-së për qëndrimin e tij politik. Ai mohoi të jetë kundër kandidatursë së Ogerta Manastirliut për Tiranën, por theksoi se synon të ofrojë një alternativë për qytetin.

Braçe shpalli ambicien për të qenë kandidat i PS-së për Bashkinë e Tiranës, në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, në Asamblenë e PS në njësinë 5 në kryeqytet ku ai është një nga tre drejtuesit politik, së bashku me Taulant Ballën dhe Fatmir Xhafën.

17 prilli si provë force
Rama dhe Berisha drejt përballjes në rrugë

Përplasja politike në Shqipëri mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, po hyn në një fazë më të thelluar dhe me pasoja më të gjera për stabilitetin institucional dhe drejtimin strategjik të vendit.

Tensionet nuk kufizohen më në debatet politike rutinë, por po shtrihen në çështje kyçe si çmimet e karburanteve, akuzat për korrupsion dhe procesi i integrimit në Bashkimin Europian. Këto elemente po ndërthuren në një klimë të polarizuar që ndikon edhe në perceptimin e besueshmërisë institucionale.

Sali Berisha, në një mesazh publik drejtuar mbështetësve të tij, akuzon qeverinë për rritjen e çmimeve të karburanteve, duke argumentuar se barra fiskale përbën rreth 60% të çmimit final. Ai e konsideron ndërhyrjen e qeverisë në akcizë të pamjaftueshme dhe kërkon ulje të ndjeshme të taksave për të lehtësuar presionin mbi qytetarët dhe sektorin bujqësor. Gjithashtu, Berisha e lidh situatën ekonomike me atë politike, duke ia atribuar qeverisë përgjegjësinë për pengesat në procesin e integrimit europian dhe duke përmendur raste që, sipas tij, dëmtojnë kredibilitetin e vendit, thuhet në një analizë të Indipendent Balkan News Agency.

Në të njëjtën kohë, Berisha shton një dimension gjeopolitik në debat, duke akuzuar kryeministrin për afrimin me Serbinë përmes iniciativave të përbashkëta me presidentin Aleksandar Vuçiç. Berisha gjithashtu ka bërë thirrje për protesta më 17 prill, duke synuar mobilizimin e pakënaqësisë sociale.

Nga ana tjetër, Edi Rama, në një komunikim publik përmes podcastit “Flasim”, kundërshton këto akuza dhe paraqet një tablo të qëndrueshme të zhvillimit të vendit. Ai pranon ekzistencën e sfidave, por thekson se Shqipëria po avancon në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe pret zhvillime pozitive në vijim. Rama akuzon opozitën se po përpiqet të krijojë një klimë pesimizmi dhe të minojë perceptimin për progresin e vendit.

Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00:

 

edicioni informativ ora 12:00 pamfleti

Lini një Përgjigje