Këtë të hënë në GJKKO u mbajt seanca e parë e procesit ndaj Ilir Metës.
Në një intervistë në emisionin “Studio24” në News24 gazetarja Klodiana Lala tha se sipas saj, sot nisi edhe zyrtarisht, beteja e ish-presidentit Ilir Meta me drejtësinë shqiptare.
“Gjykim në themel do të thotë që do të debatohen të gjitha provat. Fatime Kryemadhi paralajmëroi se do kërkojë gjykim të shkurtuar, dhe mund të veçohet çështja nëse gjykata do vlerësojë se nuk cënohet integriteti i çështjes dhe gjykimi i saj. Sa i përket zotit Meta dhe Kryemadhi kanë paralajmëruar se nuk do kërkojnë gjykim të shkurtuar…do diskutohet me letër porosi jashtë vendit, e deri te celulari i zonjës Kryemadhi që mund ta quaja thembra e Akilit në këtë histori. Sot zyrtarisht sipas meje ka nisur edhe përballja e Ilir Metës me drejtësinë shqiptare”, tha ajo.
Në seancën e parë të themelit që pas arrestimit në 2024, ish-Presidenti Ilir Meta u shfaq në kafazin e qelqtë, nga ku foli për një proces të montuar politik.
“Gënjeshtra, shpifje e kallëzues të rremë! Një proces i turpshëm!”, u dëgjua të thotë Meta brenda kafazit të qelqtë. Sot ishte hera e parë që një gjyq i Metës transmetohej direkt në media sociale apo në televizion, teksa u pa edhe një ndryshim në pamjen e ish-presidentit, i cili qëndron prej më shumë se një viti i izoluar në “Burgun 313”.
Lini një Përgjigje