Çdo muaj dorëzohen dorëheqje nga zyrtarë të policisë, të cilët ikin jashtë ose duan të bëjnë karrierë në profesione të tjera. Por ajo që ka tronditur kupolën është se në përgjimet e “SKY ECC” kanë dalë shumë emra, pjesa dërrmuese në nivel drejtues...
Zbardhja e mesazheve nga aplikacioni “SKY ECC” duket se do i japë fund mbretërimit të të njëjtëve njerëzve në krye të policisë.
Që kur PS ka marrë pushtetin, të gjithë ministrat e Brendshëm kanë qarkulluar thuajse të njëjtët njerëz. Në të gjitha drejtoritë e komisariatit vetëm sa janë ndërruar vendet, pasi në nivel drejtues kanë qenë të njëjtët dhe kjo për shkak të gradave.
Që një efektiv të emërohet drejtor drejtorie ai duhet të ketë gradën “Drejtues i Parë”. Sipas informacioneve, në strukturën që ka miratuar qeveria numri total i personave që mund të kenë këtë gradë është 52. Mirëpo prej 4 vitesh realisht këtë gradë e kanë vetëm 31 persona. Pra mundësitë për të bërë emërime në krye të drejtorive janë të zgjedhësh mes 31 personave. E njëjta gjë vlen dhe sa i takon gradës “Drejtues”. Sipas strukturës së miratuar nga qeveria, duhet të jenë 136 persona, por në fakt e kanë këtë gradë vetëm 87. Në total nga rreth 7800 policë, vetëm 3 mijë janë me grada.
Sipas ligjit për Policinë e Shtetit, çdo fillim viti është Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ai që hap konkursin për gradat. “Çdo vit evidentohen nevojat për çdo gradë për vitin pasardhës. Drejtori i Policisë së Shtetit, në varësi të nevojave dhe prioriteteve, miraton urdhrin për fillimin e fazës së aplikimeve për fitimin e gradës respektive. Fitimi i gradës bëhet vetëm për të plotësuar vendet e lira për çdo gradë dhe vetëm për gradën pasardhëse”, thotë ligji.
Por që prej vitit 2017, konkursi për gradat ka qenë i bllokuar. Gjatë kohës që drejtor ishte Ardi Veliu, ai nuk u hap kurrë, ndërsa me ardhjen e Gledis Nanos u duk se procesi u zhbllokua. Ai hapi konkursin për 75 grada “Kryekomisar”. Por me të ikur Nano, konkursi u bllokua nga Muhamet Rrumbullaku, i cili është detyruar të rihapë procesin vetëm pas skandalit të “SKY ECC” dhe dorëheqjeve të shumta.
Sipas burimeve, çdo muaj dorëzohen dorëheqje nga zyrtarë të policisë, të cilët ikin jashtë ose duan të bëjnë karrierë në profesione të tjera. Por ajo që ka tronditur kupolën është se në përgjimet e “SKY ECC” kanë dalë shumë emra, pjesa dërrmuese në nivel drejtues. Kjo rrezikon që të lërë drejtoritë policisë dhe komisariat pa drejtues dhe për këtë arsye Muhamet Rrumbullaku ka rihapur procesin për ngritjen në gradë për 572 vende të lira.
Për gradën komisar, janë hapur 320 vende të lira, për kryekomisar 200, për drejtues 40 ndërsa për gradën drejtues i parë 12 vende. Afati i aplikimeve është një muaj, duke nisur nga data 17 nëntor deri më 17 dhjetor.
Pra, hapja e kësaj gare jep sinjale se Taulant Balla dhe Muhamet Rrumbullaku po përgatiten që mbi 500 efektivë të dalin jashtë sistemit për shkak të “SKY ECC”. Vetë Balla ka premtuar dhe një veting mbi përdorimin e celularëve të kriptuar nga policët. Mbetet të shihet nëse do vijë fundi i kësaj kupole apo të njëjtët njerëz do vijojnë të drejtojnë vendi për vite me radhë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje