
Ky fenomen është boshti korrizor i veprimit të administrave shqiptare, të cilët me degradimin e infrastrukturës prodhojnë tenderë pa fund, që më pas riparohen, e prishen pas disa muajsh.
Këto pamje nuk janë në ndonjë vend të braktisur apo të humbur të Shqipërisë. Është kanali kullues ndërmjet autostradës kryesore të vendit, asaj Tiranë-Durrës, e rrugës dytësore që kanë qarkullimin më të madh të automjeteve.
Siç shikohet, kanali është totalisht i bllokuar nga materiale, baltë, e mbi të gjitha kallamishte pa fund. Gjithashtu aty ka mbeturina plastike e të tjera, të cilat askush nuk i lëviz.

Miliona të akorduara në buxhet për bashkinë por edhe Drejtorinë e rrugëve, për mirëmbajtje, megjithatë ato lekë rrëshqasin për tenderë e investime operative luksi, që nga blerje zyrash apo udhëtime të shtrenjta.
Fotot janë marrë nga autobuzi Vorë-Tiranë, ku njerëzit nga dritaret vinin bast me njëri-tjetrin se kur do të bllokohet autostrada dhe bizneset përreth nga një shi që mund të bjerë. Fotot janë shkrepur dje që ishte kohë e mirë, ndërkohë sot një ditë me shi, mund të krijojnë një kënetë dhe rrezik për çdo automjet që po përdor rrugën më të rëndësishme në Shqipëri. Ku përveçse vështirësohet lëvizja, rritet trafiku, siç po ndodh edhe në këto momente, por mbi të gjitha rrezikohet jeta e njerëzve për shkak të aksidenteve që lehtësohen nga rrëshqitja dhe prezenca e ujit dhe e dherave.

Pamjet e kallamave që duan muaj të rriten tregojnë se kemi të bëjmë me një skandal përmasash, pasi kanali nuk është pastruar fare as në pranverë e as në vjeshtë.

Edhe në kohën e diktaturës, ndërmarrjet e bonifikimit punonin të paktën dy herë në vit për të pastruar kanalet kulluese për të larguar çdo mbetje e pengesë, të cilat çajnë argjinaturat.
Ka shumë gjasa që kjo të ndodhë edhe tani siç ndodh shpesh, pasi nuk është çudi që e gjithë kjo situatë lihet me qëllim. Në mënyrë që të hapet një tjetër tender për argjinaturë, ndërkohë që plehrat e kanalet nuk i pastron njeri. Mjafton ky fakt për të treguar seriozitetin e një administrate që as nuk e di situatën në terren, nuk e raporton, e mbi të gjitha nuk e vë ‘ujin në zjarr’ për ta zgjidhur.
Jemi përveçse në një skandal administrativ, edhe në shkelje të natyrës penale; që nga shpërdorimi i detyrës e deri tek lënia me dashje të degradimit të situatës, duke rrezikuar edhe jetën e njerëzve.
Kjo situatë e bllokimit të kanaleve nuk ndodh vetëm në Tiranë dhe jo vetëm tani, por po të vesh në çdo kanal të rëndësishëm në Shqipëri, ata janë thuajse të përmbytur nga kallamishtet, baltovina dhe mbetjet. Nuk është aspak rastësi, e as thjesht një harresë e njerëzve që duhet të merren me këtë punë.
Ky fenomen është boshti korrizor i veprimit të administrave shqiptare, të cilët me degradimin e infrastrukturës prodhojnë tenderë pa fund, që më pas riparohen, e prishen pas disa muajsh. Për të prodhuar sërish tenderë e miliona që ikin kot. Siç shumë rrugë të vendit shkatërrohen e degradojnë vetëm pas pak muajsh. Në këtë kanal, ka material të bollshëm edhe për prokuroritë normale të vendit, por edhe për SPAK. Sepse të votuarit e zyrtarët e lartë të emëruar, kanë përgjegjësi bazike për lënien e situatës në këtë derexhe./Pamfleti




Lini një Përgjigje