TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Prill 2024, 16:43

“Skaneri” i DASH për qeverinë/ Skëndaj: Zyrtarët e lartë po intimidojnë drejtësinë

Shkruar nga Pamfleti

“Skaneri” i DASH për qeverinë/ Skëndaj: Zyrtarët

Erinda Skëndaj, drejtoreshë ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit ka komentuar raportin e fundit të DASH, i cili thotë që korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet e ekzekutivit.

Ajo shtoi se premisat për ndërhyrje potenciale për të ndikuar në pavarësinë e sistemit gjyqësor janë ekzistente. Ndër të tjera Skëndaj sugjeroi që organi i akuzës të krijojë mekanizma digjitalë të denoncimit anonim, duke marrë parasysh faktin që ka pak denoncime nga nëpunës të administratës, që mund të ndihen të frikësuar apo viktimizuar.

"Që nga fjalia e parë në hapje të këtij raporti, që përmbledh panoramën e përgjithshme, apo konkluzionet e përgjithshme, nuk është pozitiv fakti që DASH nuk sheh përmirësime të rëndësishme për situatën e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut në vendin tonë. Pjesa e korrupsionit është përsëritje e konkluzioneve edhe në raportin e mëhershëm, ku thuhet se korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet e ekzekutivit. Nga ana tjetër, kundrejt kësaj situate besoj që ka përmirësime të ndjeshme fakti që janë përmendur zyrtarë të nivelit të lartë, por edhe zyrtarë të tjerë publik të hetuar dhe ndëshkuar nga institucionet e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha ajo në MCN TV.

E pyetur a jemi në kushtet e kontrollit politik apo ndikimit politik mbi gjyqësorin, Skëndaj thotë: "Pjesa e pavarësisë së gjyqësorit besoj se është e parë në dy optika. Optika e parë është presioni që ushtrohet nga politikanë të caktuar që kanë procese hetimore apo procese penale, që është pjesa më e dukshme dhe evidente. Fjalët e rënda, intimiduese, dhe fyese që vijnë nga zyrtarë të nivelit të lartë, besoj që shikohen si intimiduese dhe potencial për të ndërhyrë në veprimtarinë e këtyre institucioneve dhe pse ato kanë treguar imunitet dhe kanë treguar me raste konkrete vizionin dhe dëshirën e tyre për të hetuar e gjykuar me pavarësi. Pastaj pjesa e padukshme dhe e lidhur me situatën politike në vend, është që në një vend si Shqipëria përtej reformave që janë marrë demokracia është ende e pakonsoliduar, dhe premisat për ndërhyrje potenciale për të ndikuar në pavarësinë e sistemit gjyqësor janë ekzistente. Komiteti i Helsinikit në mënyrë të veçantë ka evidentuar problematikat e vërejtura në sistemin gjyqësor për raste konkrete, siç ka qenë mbyllja e kopshtit dhe shkollës turke, ku është evidentuar cenimi i të drejtës për proces të rregullt gjyqësor”. 

Sipas saj, është shqetësues fakti që ne nuk kemi një kuadër të plotë nënligjor sa i takon procesit të emërimeve dhe promovimeve, pasi është një nga pikat më delikate që po përballet KLGJ dhe KLP, pasi ka pasur edhe emërime të diskutueshme të familjarëve brenda të njëjtës Prokurori.

Lini një Përgjigje