
Policia ka goditur sot një rrjet që shiste në farmaci të kryeqytetit barna kontrabandë. Në pranga ranë 16 persona, ndërkohë që policia ka përdorur një person për të zbuluar gjithë skemën, i quajtur Devis Beqiri.
Në dosje theksohet se në dëshminë e tij, Devis Beqiri, ka deklaruar se ka qenë i punësuar për shumë objekte farmaceutike, në kompani të ndryshme farmaceutike. Në këtë mënyrë duke qenë i angazhuar në këtë sektor, ai ka përfituar duke krijuar kontakte dhe njohje me profesionistë të fushës, mjekë e farmacistë.
“Edhe pasi është shkëputur nga puna ai ka ruajtur kontakte miqësore me shumë prej tyre. Pasi ka mbetur pa punë dhe kushte të vështira familjare është divorcuar dhe ka një fëmijë të vogël. Këto rrethana e kanë detyruar të punojë pa marrë parasysh legjislacionin në fuqi, për të cilin është shprehur se nuk e njeh, pasi po ta njihte do ta ushtronte këtë aktivitet. Ai ka cilësuar se barnat që tregton janë të gjitha cilësore dhe nuk kanë afekte anësore në shëndet, por përkundrazi janë për kurimin e komplikacioneve dhe sëmundje të ndryshme”, ka dëshmuar ai.
Gjithashtu sa i përket vendit se ku i merrte barnat, Devis Beqiri ka treguar në dëshminë e tij për prokurorin Bledar Valikaj, se i merr nga shtetasi Ermal Merdani dhe nuk e ka ditur që nuk kanë qenë të lejuara, pasi sipas tij nuk do të bënte atë veprim.
Nga ana tjetër ai ka treguar dhe një skandal. Në treg dilnin dhe barna spitalorë me pullën e Autoritetit të Barnave. I penduari ka treguar se ishte një infermier që nxirrte në treg të ri ilaçet.
“Në lidhje me barnat spitalore të gjendur, ai ka deklaruar se ato barna i ka marrë nga një djalë që ka punuar infermier te spitali i Senatoriumit. Kontaktin me të e ka siguruar me njohjet në sektorin e farmaceutikës dhe nuk e njeh me emër personin që ka lidhje me infermierin. Ai në periudhën e pandemisë u largua nga Shqipëria në Gjermani dhe nga ana e tij ai ka deklaruar se nuk ka shitur asgjë dhe janë me pullën e Autoritetit të Barnave”, ka thënë ai.
Ndërkohë lidhur me hetimet reagoi Ministria e Shëndetësisë, e cila nuk jep asnjë sqarim se si ka mundësi që barnat spitalorë dalin në treg të zi, ndërkohë që vetë pacientët detyrohen t’i blejnë kur shtrohen në spitale.
“Përgëzojmë prokurorinë dhe strukturat e policisë së shtetit për punën e tyre në parandalimin e hyrjes në vendin tonë të barnave kontrabandë.
Të gjitha ilaçet në farmacitë tona kanë kusht ligjor që të jenë të pajisura me pullën fiskale. Farmacitë, në respekt të qytetarëve, duhet të tregojnë kujdes në tregtimin e barnave, duke u bazuar në të gjitha rregullat dhe ligjet në fuqi.
Nga ana tjetër, u bëjmë thirrje edhe qytetarëve që të jenë mjaft të kujdesshëm në këtë aspekt, dhe të pranojnë vetëm barna të pajisura me pullën fiskale.
MSHMS, së bashku me institucionet e varësisë dhe organet kompetente, do të vijojë të jetë mjaft e ashpër në marrjen e masave dhe vendimeve, për sa i përket veprave të tilla penale, të cilat rëndojnë tek shëndeti i qytetarëve tanë”, shkruan MSH.
Lini një Përgjigje