Një ngjarje e rëndë ndodhi disa ditë më parë para Prokurorisë së Posaçme, ku Pal Trashaj u vetëflijua pasi nuk i ishte gjetur zgjidhje problemit të tij me mikrokreditë.
Për këtë ka folur edhe kreu i SPAK, Altin Dumani gjatë një takimi me gazetarët.
Ai tha se SPAK nuk mund të hetojë çështje personale të qytetarëve, pasi ligji nuk i lejon.
“Ne e kemi një çështje nën hetim, por nuk mund të hetojmë çështje personale të qytetarëve sepse ligji nuk na e lejon, i kemi të përcaktuar kompetencat. Gjej rastin t’i shpreh ngushëllime familjes së qytetarit i cili humbi jetën. Jam i keqardhur si prokuror, por edhe si qytetar, por i kemi të përcaktuara qartë kompetencat”, tha Dumani.
Pal Trashaj është një nga mijëra qytetarët që u zhvatën nga skema e kredive të vogla. 63-vjeçari kishte një kredi 76 mijë lekë, ndërsa më pas borxhi arriti në 408 mijë lekë.
Për pasojë, zyrat përmbarimore kishin vënë nën sekuestro shtëpinë e tij dhe i kishin ngrirë llogaritë bankare, madje edhe pagat e familjarëve.
Në këto kushte ai ishte paraqitur në SPAK për të t’i dhënë zgjidhje situatës.
Në maj të këtij viti Prokuroria njoftoi se përmes krijimit të kësaj skeme mashtrimi kompania “Micro Credit Albania” në bashkëpunim me subjekte të tjera financiare dhe zyrat përmbarimore, blenë borxhin në vlerën e 7.3 milionë euro që i përkisnin afro 4 mijë kreditorëve në një bankë të nivelit të dytë e më pas i detyruan ta shlyenin atë përmes shantazhit.
Lini një Përgjigje