Avokat i njohur, Spartak Ngjela ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa e ka ndalur theksin tek ngjarja e “21 janarit”, e cila tashmë duhet hetuar dhe zbardhur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), detyrim i cili i vjen edhe nga vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, marrë 14 nëntorin e vitit 2023.
Konstatimi është i qartë i Gjykatës së Lartë e cila jep argumente shteruese në vendimin e plotë dhe të arsyetuar të 12 marsit 2024, kur pranoi kërkesën e familjarëve të Aleks Nikës, që krimi shtetëror i para 13 viteve të mund të shohë zbardhjen e plotë. Kolegji i Gjykatës së Lartë thotë se është e rëndësishme të mbahet në konsideratë qëndrimi i Gjykatës së Strasburgut që thotë se çështja e përgjegjësisë së mundshme të zinxhirit komandues të Gardës nuk ishte zbardhur nga hetimi përkatës, që do të duhet të ishte përqendruar në natyrën e urdhrave nga zinxhiri komandues. Por sa i takon kësaj çështje, gazeta “SOT”, bisedoi me avokat Ngjelën, i cili nxjerr informacionet tronditëse.
Avokat Ngjela zbulon se serverin kryesor të Kryeministrisë që fshiu Sali Berisha në 21 Janar të vitit 2011 e kanë amerikanët, ndërkohë që thekson se regjistrimet e ridërguara kanë zbuluar se ish-kryeministrit i kanë marrë kallashnikovin e ia kanë hequr nga duart. Po ashtu, ai shpreh bindjen se ekspertët e kanë me fakte se lideri i PD dha urdhrin për të hapur zjarr në 21 janar të vitit 2011.
-Avokat Ngjela, Gjykata e Lartë i hapi rrugën SPAK-ut të hetojë dosjen e 21 janarit? Si e shikoni këtë vendim? A do të ketë më në fund drejtësi për këtë ngjarje te tmerrshme?
‘21 Janari’ është një ngjarje tragjike, janë vrarë katër persona dhe nuk është bërë asgjë. Sepse ka qenë i implikuar Berisha me gjithë stafin e tij dhe krerët e lartë të PD. Pushteti gjyqësor ka qenë i korruptuar, kanë paguar dicka o ç’kanë bërë atje ose i kane trembur. SPAK-u bëri mirë që e nxori në dritë këtë çështje dhe të shikojmë sesi do të shkojë gjyqi në funksion të provave gjyqësore që do të paraqiten.
-Altin Dumani, kreu i SPAK-ut ka qenë prokurori i Apelit për çështjen dhe e njeh shumë mirë dosjen. Është ballafaquar në Apel, ka përgatitur një pjesë të raportit bashkë me kolegun e tij atë kohë. Për sa kohë, prokurorët në atë kohë në Apel, kërkuan “vrasje me dashje” për zyrtarët e Gardës së Republikës, patjetër që ato kanë pasur një bindje referuar provave, materialeve dhe hetimeve. Mendoni se këtë herë do të dënohet Sali Berisha?
Nuk mund të flasim për dënime, por duhet të kemi besim te SPAK-u. Do të flasim për provat atëherë kur të dalin. T’i shikojmë saktë se ka një mori ndërhyrjesh ku janë vrara katër persona. Shtet mizerabël, vriten katër persona dhe nuk dënohen fajtorët në një kohë që kanë qenë të gjitha të incizuara.
-Për 21 Janarin nuk janë marrë, apo nuk kanë dhënë dëshmitë e tyre eksponentë të kohës që nga Ish-kryeministri e deri te drejtues të tjerë. A duhet që të merren dëshmitë e tyre?
Në qoftë se ekspertët që janë marrë me atë dosje, ato persona që e dinë apo i kanë parë, e nëse konfirmojnë se janë të vërteta, kjo gjë është shumë e rëndë për ata që e kanë kryer. Por problemi është se duhet të shikojmë gjyqin, e nuk mund të flas unë paraprakisht. Unë thash se çfarë ka qarkulluar por ka apo jo prova gjyqësore, këtë gjë do ta shikojmë në gjykatë. E rëndësishme është që u hap si çështje. Fakti që u hap si çështje ‘21 Janari’, që ka qenë një njollë e zezë për drejtësinë shqiptare dhe për historinë e Shqipërisë, tani të shikojmë sesi do të vijojë gjyqi në SPAK.
-Sali Berisha ka pranuar “Live” në televizion se dha urdhër për të shtënë mbi protestuesit dhe ish-kreun e opozitës, a mjafton sipas jush vetëm kjo provë që ai të dënohet?
Sali Berisha ishte gati i çmendur kur e tha këtë deklaratë: Vrisnja sa ta donja. Ishte moment çmendurie, por ne profesionistët e akuzës e njohin se kur je përballë një akuze të tillë ke devijime të spiqikës. Gjithë kryesorja është që të shohim se çfarë provash kanë.
-Thonë se serverin e fshirë nga Berisha në Kryeministri e kanë në dorë ekspertët amerikanë, mendoni se aty ka prova që nxjerrin zbuluar vrasësit e 21 janarit?
Këta menduan se meqë i fshehën dhe fshinë serverin, menduan se shpëtuan. Por serveri kryesor i Kryeministrisë është në Amerikë. Kanë dalë të gjitha. Unë kam të dhëna nga ekspertë që më kanë thënë se kanë dalë të tëra, edhe urdhëri i Saliut. Madje, nuk e di sa e vërtetë është por thonë se nga regjistrimet e ri dërguara, thonë se Sali Berishës i kanë marrë kallashnikovin e ia kanë hequr nga duart. Por tani të shikojë a është i vërtetë ky detaj apo nuk është, por ekspertët ma kanë thënë këtë gjë, njerëzit që janë marrë me dosjen. Qeveria Berisha mendoi se i hoqi provat duke prishur serverat por nuk e dinin që qendra e serverit është në Kaliforni dhe të gjitha provat atje janë parë./ Gazeta Sot
Lini një Përgjigje