Kreu i SPAK, Altin Dumani është pyetur sot nga gazetarët lidhur me hetimet për dosjen Partizani, dosje për të cilën Sali Berisha dhe dhëndri janë nën masë arresti.
Lidhur me ecurinë e hetimeve, kreu i SPAK ka deklaruar se dosja do t’i dorëzohet gjykatës kur hetimet të jenë mbyllur plotësisht.
Sipas Dumanit janë grumbulluar të gjitha provat.
Pyetjes nëse ndaj Berishës ka hetim pasuror, Dumani i është përgjigjur se 'Janë bërë hetime pasurore.'
Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit nën akuzë për korrupsion pasiv, ndërsa dhëndri i tij qëndron në të njëjtën masë për 2 akuza, korrupsion pasiv dhe pastrim të parave në lidhje me aferën e privatizimit të Partizanit, mbi territorin e të cilit u ndërtuan 19 kulla.
Përveç ndryshimit nga arresti me burg në masë arresti shtëpiak të Jamarbër Malltezit nga gjyqtarja në konflikt interesi Ilirjana Olldashi e cila ka apartament në një nga kullat ku dhëndri i Berishës është aksionet, të gjitha kërkesat e përsëritura të ish-kryeministrit dhe Malltezit për revokim të masave të sigurisë, janë rrëzuar.
Sakaq, Berisha është ende deputeti i Kuvendit të Shqipërisë. Nëse ai nuk del nga shtëpia të shkojë në parlament deri në fund të qershorit, Berishës i digjet automatikisht mandati për shkak të mungesës 6-mujore në seancat plenare.
Akuzat nga SPAK për Berishën
Sipas Prokurorisë së Posaçme ish-kryeministri Sali Berisha, rezulton se ka pasur rol aktiv në nxitjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani në kundërshtim me ligjin dhe në përfitim të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.
SPAK shkruan në njoftim se nga hetimet, është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se, Sali Berisha ka konsumuar veprat penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi.
Konkretisht, sipas prokurorisë, Sali Berisha, në cilësinë e tij si kryeministër i Republikës së Shqipërisë, ka kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi.
Sipas SPAK, Sali Berisha si kryeministër, ka ushtruar kontrolle e presion ndaj administratës për të nxjerrë sa më shpejt urdhërin e privatizimit, ng ai cili dhëndërri i tij ka përfituar rreth 5.4 milionë euro.
Lini një Përgjigje