
Gjykata e Apelit ka lënë sërish në burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Belerin, i arrestuar për shitblerje votash dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit.
Ai kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, teksa në Gjykatën e Posaçme ishte dhe ambasadorja greke, Kostandina Kamitsi si dhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule.
Më 14 shtator Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vendosi të kalojë për gjykim çështjen e Belerit, i arrestuar me akuzën e Korrupsionit aktiv në zgjedhje.
Në seancën paraprake prokurorët e çështjes deklaruan se provat dhe faktet në dispozicion, përfshirë audio-përgjime, mbështesin akuzën e ngritur prej tyre. Edmond Dema, avokati mbrojtës i zotit Beleri, kërkoi pushimin e çështjes, me pretendimin se provat janë të paligjshme. Por gjykata mësohet se e ka konsideruar të plotë hetimin e Prokurorisë, duke i hapur rrugë nisjes së procesit gjyqësor.
Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka folur për një akt me sfond politik.
Një person bashkëpunoi me policinë dhe prokurorinë e Vlorës për dokumentuar faktin e akuzës, ai u pajis me logjistikën e nevojshme, që nga regjistruesi.
I infiltruari arriti të merrte shumën prej 40 mijë lekëve të reja në kërkim të 8 votave në favor të Belerit. Beleri u shpall fitues nga qelia në zgjedhje, por betimi i tij nuk u krye asnjëherë për të marrë detyrën.
Arrestimi i tij ka nxitur reagimin e Athinës e cila kërkon me ngul lirimin e tij duke deklaruar se arrestimi i tij ka lidhje politike. Edhe Eurodeputeti grek, Manolis Kefalogianis, njëherësh Kryetari i Komitetit të Përbashkët të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri i cili vizitoi dje (18 korrik 2023) qytetin e Himarës kërkoi lirimin e kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri.
Lini një Përgjigje