
Regjistrat për vlerësimin e nxënësve tashmë do të mbeten pjesë e arkivës pasi duke nisur nga ky vit shkollor çdo informacion që lidhet me nxënësit, do të ngarkohet online në sistemin SMIP.
Sipas ministrisë së Arsimit, të gjithë nxënësit në arsimin parauniversitar, të cilët ende nuk janë regjistruar nëpërmjet portalit e-Albania, por vijojnë mësimin fizikisht, duhet të regjistrohen online brenda datës 30 shtator.
Përmes regjistrit online synohet të afrohet më shumë prindi me shkollën, duke marrë vesh në kohë reale notat apo mungesat e fëmijëve të tyre si dhe kualifikimet e arsimtarëve apo temat mësimore të zhvilluara.
“Në vitin në vazhdim 2023-2024 ne nuk do të kemi regjistra fizikë, gjithçka do të jepet përmes sistemit SMIP dhe nëse nuk janë të gjithë nxënësit në sistem nuk do të kemi mundësinë të japim dëftesat apo për të informuar prindërit për ecurinë e tyre. Mund të ketë prindër që e kanë anashkaluar me idenë që janë të zonës dhe do të regjistrohen patjetër, e kanë lënë për në minutën e fundit. Edhe në shkolla të tjera ka raste që janë në shkollë fizikisht por nuk janë të regjistruar”, njoftoi ministria e Arsimit.
Lini një Përgjigje