
Në botë ka vetëm tre shtete që klasifikohen zyrtarisht si teokratike, përfshirë Iranin, Vatikanin dhe Republikën Islamike të Afganistanit, e drejtuar nga Talebanët.
Nëpërmjet një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara si pjesë e Samitit për të Ardhmen më 22 shtator, kryeministri Edi Rama propozoi krijimin e një shteti të katërt me seli në Tiranë për Urdhrin Botëror Bektashi.
Pasi përshkroi një botë në kaos, me kriza të mbivendosura nga Lindja në Perëndim dhe Veriu në Jug, duke cituar Nënë Terezën, kryeministri shqiptar deklaroi me pompozitet se ajo na ka kujtuar se “jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.”
“Ky është parimi të cilit i qëndron Shqipëria dhe kjo është ajo me të cilën përpiqemi të veprojmë, dhe ky është burimi i frymëzimit tonë, për të mbështetur transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit tonë, Tiranës, si një qendër e re e moderimit, tolerancës dhe bashkëjetesës së paqtë,” tha ai.
Kryegjyshi bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, e përkrahu idenë e artikuluar më parë në një artikull në gazetën amerikane ‘Neë York Times’, por propozimi ndryshe ka marrë një pritje të ftohtë në Tiranë nga komunitetet e tjera fetare dhe pjesa laike e shoqërisë.
Të dhënat e mbledhura nga BIRN përmes një ankete online tregojnë se shumica e shqiptarëve e kundërshtojnë propozimin e Ramës, duke e cilësuar atë si anti-kushtetues dhe përçarës, dhe të pa konsultuar me publikun në Shqipëri.
“Është i pa konsultuar publikisht dhe lë një shije të hidhur edhe për imazhin e Shqipërisë në botë,” tha Hekuran Budani, pedagog i marrëdhënieve ndërkombëtare, i specializuar në çështje të sigurisë ndërkombëtare. “Vetë komuniteti Bektashi nuk është konsultuar dhe duket qartë përdorimi politik që i bëhet,” shtoi ai.
Propozimi i kryeministrit u përball me kritika në media nga analistë dhe ekspertë të politikës që e cilësuan atë si ide “narciste” dhe kritikuan Ramën për shpërfillje të opinionit publik, duke theksuar se ai cenon demokracinë.
Komuniteti Mysliman Shqiptar gjithashtu e kundërshtoi projektin në një deklaratë për mediat duke e cilësuar atë të rrezikshëm.
“Nisma të tilla mund të jenë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit,” shkruhet në deklaratën e KMSH-së.
Bektashinjtë kundër ‘shtetit sovran’
Urdhri Botëror Bektashi është një tarikat i Islamit, që e vendosi qendrën e vet në Shqipëri në vitet mes dy Luftërave Botërore. Ndër shqiptarë, ata kanë pasur gjithmonë një prezencë të rëndësishme, duke u konsideruar si feja e katërt për nga madhësia dhe pjesë e rëndësishme e shtetformimit dhe Rilindjes Kombëtare. Sipas censusit të fundit, në Shqipëri vetëdeklarohen si bektashinj rreth 115 mijë persona, ose 4.8 për qind e popullsisë.
Nëpërmjet një ankete online në faqen e Reporter.al, BIRN mblodhi opinionet e 609 qytetarëve nga besime të ndryshme rreth propozimit të kryeministrit Edi Rama. Shumica e pjesëmarrësve në anketë ishin meshkuj (77%) me banim në Tiranë, kryesisht mes moshës 25 dhe 45 vjeç.
Anketa nuk synon të jetë përfaqësuese e opinionit publik në Shqipëri, por në mungesë të sondazheve publike mbi këtë propozim, ajo kërkon të japë një fotografi të mendimeve të qytetarëve të ndryshëm rreth propozimit të kryeministrit Edi Rama.
Sa i përket përkatësisë fetare, 44 për qind e të anketuarve deklaruan se ishin myslimanë, 15 për qind u identifikuan si bektashinj, 11 për qind e pjesëmarrësve u deklaruan ortodoksë, 7 për qind katolikë, dhe 17 për qind deklaruan se ishin ateistë.
Propozimi i kryeministrit Edi Rama për të themeluar një shtet Bektashi është kundërshtuar nga 89% e qytetarëve që plotësuan anketën. Kundër propozimit ishin edhe 71 për qind e vetë bektashinjve që morën pjesë në anketë.
“Bektashinjtë janë udhëhequr nga motoja ‘Pa atdhe nuk ka fe,' kanë luftuar dhe ndihmuar për themelimin e shtetit shqiptar,” shkroi njëri prej tyre.
“Në këto kushte, mendoj se ky komunitet duhet të vazhdojë të jetë pjesë e këtij shteti në të cilin ka besuar që në kohën kur Shqipëria si shtet ishte vetëm në dëshirat dhe ëndrrat e kombit tonë,” shtoi ai.
Shumica dërrmuese e të anketuarve (69%) e cilësojnë propozimin e kryeministrit si anti-kushtetues dhe një shkelje ligjore që nuk përfill normat bazë të vendit.
“Nuk ka asnjë bazë historike, as politike, as shoqërore për një propozim të tillë, një ide që vjen papritur pa u mbështetur diku,” i tha BIRN përkthyesja Loela Xhafa./ BIRN
Lini një Përgjigje