Mirgen Çela është një banor i Gramshit, i angazhuar si vullnetar për të ndihmuar në situatën e zjarreve që ka përfshirë disa fshatra të këtij qyteti.
Për Report Tv ai ka thënë se sot situata është e vështirë në fshatin Nartë, ku flakët janë përhapur në të gjithë fshatin.
Zjarri po përparon drejt banesave, ndërsa banorët e zonës janë evakuuar.
Mirgeni ishte aktiv edhe ditën e djeshme, kur shpërtheu situata alarmante në fshatrat e Gramshit. Ai ndihmoi disa familje një ditë më parë duke i larguar nga zona e rrezikut. Fatkeqësisht, ai humbi edhe shtëpinë e tij, që u përpi nga flakët e zjarrit.
Ndërkohë për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje banorëve në Nartë, Skënderbegas (Gramsh) dhe Delvinë që të evakuohen menjëherë drejt zonave të sigurta.
Ndërsa ka 24 vatra aktive aktualisht në vend situata paraqitet më problematike pikërisht në këto zona.
Mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile ndodhen në terren dhe situata po shkon drejt stabilizimit. Operacioni i gjerë kundër zjarreve ka vijuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës, duke synuar kufizimin e perimetrit të flakëve pranë zonave të banuara dhe parqeve kombëtare në të gjithë vendin.
Nga ajri po operojnë edhe tre helikopterë në Gramsh dhe dy të tjerë në Delvinë.
Lini një Përgjigje