TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Shtator 2024, 10:07

Situata kriminale në vend, deputeti: Kemi një dështim të shtetit, qytetarëve dhe bizneseve u vihen gjoba të përjavshme

Shkruar nga Pamfleti

Situata kriminale në vend, deputeti: Kemi një dështim të

Deputeti demokrat Asllan Dogjani i cili ka komentuar situatën kriminale në vend pas zbulimeve të përgjimeve nga SKY ESSC dhe vrasjet e muajve të fundit.

Dogjani referuar vrasjes në Pogradec thotë se gjobat që u vihen qytetarëve apo bizneseve, janë të përmuajshme dhe të përjavshme në shuma të mëdha. 

'Në fakt këto ngjarje të rënda e kanë tronditur opinionin publik dhe kanë krijuar një panik të jashtëzakonshëm tek familjet shqiptare, të qytetarët shqiptarë, për sa i përket sigurisë për jetën dhe pronën.Ngjarje të tilla tregojnë dështimin total të institucioneve të shtetit dhe mungesën e besimit midis komunitetit dhe policisë. Po të shikosh dhe të bësh një analizë të këtyre ngjarjeve. Vrasja e babait të dy fëmijëve në Pogradec në mënyrë barbare, të tmerrshme tregon se njerëzit janë vazhdimisht të dhunuar nga bandat kriminale, janë nën terrorin e tyre. Gjobat që u vihen qytetarëve apo bizneseve, janë të përmuajshme të përjavshme por edhe të caktuara në shuma të mëdha. Çka do të thotë që autoriteti i policisë në disa zona të caktuara është zero....', tha deputeti në një intervistë për mediat.

Ju rikujtojmë se Eglantin Proga, 42 vjeç, babai i dy fëmijëve, u dhunua për vdekje në qytetin e Pogradecit.

Kur kaluan 3 ditë nga ngjarja e rëndë policia arrestoi Denis Meçen, 29-vjeçarin si autor të dyshuar të krimit, dhe 3 persona të tjerë për moskallëzim krimi. Zyrtarisht policia reagoi për ngjarjen e rëndë një ditë pasi ajo ndodhi, ndërsa u dha si version paraprak se viktima, në gjendje të dehur, ishte rrëzuar dhe për pasojë humbi jetën.

Në fakt ajo që u zbulua më pas ishte një dhunë deri në vdekje që ishte ushtruar ndaj 42-vjeçarit, i cili për rreth 30 minuta u la i shtrirë në trotuar, pa ndihmë mjekësore, ndërsa humbi jetën në spital.

Përtej hetimit që ka nisur nga struktura lokale të policisë së Pogradecit lidhur me veprimet e saj, ka dyshime se shkak i dhunës ndaj 42-vkjeçarit të ketë qenë gjobëvënia. Sipas dyshimeve, 29-vjeçari i ka kërkuar xhiron ditore të lokalit që kishte në administrim babai i viktimës, 42-vjeçari nuk ka pranuar ta dorëzojë, dhe kjo ka sjellë dhunën ndaj tij.

Lini një Përgjigje