Me iniciativë të Inspektoriatit të Përgjithshëm, inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në Korçë kanë zhvilluar inspektime në dy biznese në qytet, konkretisht në një stabiliment përpunimi të qumështit dhe nënprodukteve të tij, si dhe në një stabiliment përpunimi të mishit të pulës.
Procesi i kontrollit është mbikëqyrur nga afër nga një ekip i Inspektoriatit të Përgjithshëm, me fokus në ndjekjen e procedurave ligjore, sjelljen profesionale të inspektorëve dhe dokumentimin e rregullt të çdo hapi të inspektimit. Gjithashtu, është verifikuar autorizimi përkatës dhe dokumentacioni shoqërues.
Sipas njoftimit zyrtar, këto inspektime janë realizuar në kuadër të zbatimit të ligjit nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë” dhe synojnë rritjen e transparencës dhe besimit publik.
Gjatë mbikëqyrjes, është monitoruar edhe përdorimi i pajisjeve të punës, përfshirë mjetet e identifikimit, dokumentacionin përkatës, pajisjet për regjistrimin e të dhënave, si dhe mjetet mbrojtëse sipas standardeve të kërkuara.
Të gjitha gjetjet dhe vlerësimet janë pasqyruar në një raport të Inspektoratit të Përgjithshëm mbi performancën e trupës inspektuese, i cili do të shërbejë për analizë të mëtejshme, përmirësim të standardeve dhe rritje të llogaridhënies.
Inspektorati i Përgjithshëm thekson se roli i tij është mbikëqyrja e trupës inspektuese dhe garantimi i ligjshmërisë së procesit, me qëllim zbatimin e njëjtë të procedurave për të gjithë subjektet dhe forcimin e besimit të publikut.
Njoftimi i Inspektoratit të Përgjithshëm:
Ashtu sikurse paralajmëroi ditën e martë Inspektori i Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, sot më 23.04.2026, me iniciativë të tij, inspektorët e Drejtorisë Rajonale të AKU (DRAKU Korçë) zhvilluan inspektime në dy subjekte në Korçë: një stabiliment të përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, si dhe një stabiliment të përpunimit të mishit të pulës. Këto inspektime rastësore të paralajmëruara realizohen në kuadër të transparencës me publikun dhe në zbatim të ligjit nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, ndërsa Inspektorati i Përgjithshëm ishte në terren për të mbikëqyrur procesin e inspektimit.
Gjatë mbikëqyrjes, vëmendja jonë u përqendrua te ndjekja e procedurave ligjore, sjellja korrekte dhe profesionale e inspektorëve, dokumentimi i plotë dhe i rregullt i çdo hapi, si dhe verifikimi i autorizimit të inspektimit dhe dokumentacionit shoqërues përkatës. Po ashtu, u monitorua përdorimi i mjeteve dhe pajisjeve të duhura të punës sipas standardeve, përfshirë mjetet e identifikimit zyrtar, formularët/aktet e nevojshme, pajisjet për regjistrimin dhe raportimin e të dhënave (përfshirë mjetet digjitale), si edhe pajisjet mbrojtëse kur kërkohet nga natyra e kontrollit. Të gjitha gjetjet dhe vlerësimet pasqyrohen në raportin e Inspektoratit të Përgjithshëm mbi performancën e trupës inspektuese, i cili shërben për analizim, përmirësim të standardeve dhe rritje të llogaridhënies.
Inspektorati i Përgjithshëm realizon mbikëqyrje vetëm mbi trupën inspektuese dhe mënyrën se si zhvillohet procesi i inspektimit, për të garantuar integritetin, ligjshmërinë dhe zbatimin e standardeve. Ky monitorim synon transparencë maksimale, zbatim të njëjtë të procedurave për të gjithë dhe forcim të besimit publik te procesi i inspektimit.
Lini një Përgjigje