Administrata Trump thekson se do të përdorë “çdo mjet të disponueshëm” për të mbrojtur interesat e sigurisë kombëtare dhe për të garantuar stabilitetin në rajon...
Administrata e presidentit Donald Trump ka njoftuar një “zgjerim të konsiderueshëm” të politikës për kufizimin e vizave në Hemisferën Perëndimore, duke vënë në shënjestër individë që, sipas Uashingtonit, veprojnë në emër të vendeve kundërshtare të Shteteve të Bashkuara.
Sipas një deklarate zyrtare të Departamentit të Shtetit, politika e zgjeruar u jep autoriteteve amerikane mundësinë të refuzojnë viza për persona që angazhohen qëllimisht në aktivitete që “minojnë interesat e Amerikës” në rajon. Institucioni thekson se kjo masë lidhet drejtpërdrejt me Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të presidentit Trump, e cila synon të pengojë fuqitë kundërshtare të kontrollojnë asete strategjike apo të kërcënojnë sigurinë dhe prosperitetin e SHBA-së.
“Departamenti i Shtetit po punon për të avancuar lidershipin amerikan në hemisferë, për të mbrojtur territorin tonë dhe për të garantuar akses në rrugë dhe zona jetike,” thuhet në njoftim. Në këtë kuadër, zgjerimi i politikës ekzistuese synon individë që veprojnë në interes të aktorëve kundërshtarë dhe që ndikojnë në sigurinë rajonale apo sovranitetin demokratik.
Një element i rëndësishëm i kësaj mase është përfshirja edhe e familjarëve të personave të prekur. Sipas Departamentit të Shtetit, individët që bien nën këtë politikë, si dhe anëtarët e afërt të familjes së tyre, “në përgjithësi nuk do të jenë të pranueshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara”.
Autoritetet amerikane sqarojnë se kufizimet mund të aplikohen ndaj personave që, ndër të tjera, mundësojnë që fuqi kundërshtare të marrin kontroll mbi asete kyçe dhe burime strategjike në rajon, destabilizojnë përpjekjet për sigurinë rajonale, dëmtojnë interesat ekonomike amerikane ose zhvillojnë operacione ndikimi që synojnë dobësimin e sovranitetit të vendeve.
Deri tani, sipas njoftimit zyrtar, janë vendosur kufizime vizash ndaj 26 individëve në kuadër të kësaj politike. Administrata Trump thekson se do të përdorë “çdo mjet të disponueshëm” për të mbrojtur interesat e sigurisë kombëtare dhe për të garantuar stabilitetin në rajon.
Ky zhvillim vjen në vijim të një serie masash të ngjashme të ndërmarra muajt e fundit, përfshirë kufizime vizash për shtetas nga dhjetëra vende në nivel global. Këto politika janë kritikuar nga organizata për të drejtat civile, të cilat argumentojnë se formulimet e gjera për aktivitetet e ndaluara mund të krijojnë paqartësi mbi kriteret e përzgjedhjes dhe mbi garancitë procedurale për individët e prekur.
Në një reagim të mëhershëm, përfaqësues të organizatës Democracy Forëard kanë shprehur shqetësimin se masa të tilla mund të çojnë në përjashtim të gjerë bazuar në origjinë kombëtare dhe të kufizojnë shkëmbimin e ideve dhe perspektivave.
Njoftimi për zgjerimin e kësaj politike është shpërndarë edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë përmes kanaleve të saj zyrtare. Ky veprim interpretohet si sinjal se autoritetet amerikane synojnë të informojnë publikun dhe institucionet në rajon për zbatimin e masës, duke lënë të kuptohet se ajo mund të prekë edhe individë që operojnë ose kanë lidhje në vende jashtë Hemisferës Perëndimore, përfshirë edhe persona në Shqipëri nëse përfshihen në aktivitete të përshkruara në politikë. /Pamfleti
pordhe me rigion nga trapi i botes