TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Janar 2025, 09:25

Shuhet Kryepeshkopi Janullatos, politika shqiptare mesazh ngushëllimi: Trashëgimia e tij do mbetet gjithmonë e gjallë

Shkruar nga Pamfleti

Shuhet Kryepeshkopi Janullatos, politika shqiptare mesazh ngushëllimi:

Politika shqiptare ka shprehur mesazhe ngushëllimi në lidhje me ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.

Ish-Presidenti i Ilir Meta, ka reaguar nga qelia për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili u shua mëngjesin e sotëm në moshën 96-vjeçare.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se Kryepeshkopi Janullatos do të mbetet një udhëheqës i veçantë shpirtëror dhe trashëgimia e tij do mbetet gjithmonë e gjallë.

"Me trishtim të thellë dhe shumë dhembje mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos. Udhëheqës i veçantë shpirtëror dhe shembull frymëzues i dashurisë ndaj njerëzve, me vizion hyjnor e mençuri të rrallë, do t'i mbetemi përherë mirënjohës për gjithçka ka bërë në këto vite për Lavdinë e Zotit, për të mirën e Kishës, që në rrethana të vështira e ringriti nga gërmadhat dhe e zhvilloi më tej, për të mirën e besimtarëve ortodoksë shqiptarë, për forcimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare, kësaj pasurie kombëtare të popullit tonë. Ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme për drejtuesit e lartë të Kishës dhe mbarë komunitetin ortodoks të Shqipërisë! Trashëgimia e Kryepeshkopit Anastas do të mbetet gjithmonë e gjallë dhe kujtimi i Tij do të jetë i paharruar", shkruan Meta.

Edhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Ajo theksoi se Kryepeshkopi kontribuoi në harmoninë e bashkëjetesën fetare në Shqipëri e në botë.

“Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe besimtarët orthodhoksë humbën sot Kryebariun e tyre, Fortlumturinë e Tij, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.

Me vizionin hyjnor, dashurinë e pashterrshme, dijet e gjera, erudicionin e pafund, respektin për besimet dhe komunitetet e tjera fetare, shpirtin e tolerancës, përdëllimin e pashoq, komunikimin e ëmbël fetar e njerëzor, Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Anastas, në kushte të mungesave e vështirësive shumë të mëdha, për më shumë se tre dekada, ringriti dhe konsolidoi Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, projektoi, mbështeti e promovoi institucionet arsimore, humanitare, shëndetësore e kulturore dhe kontribuoi në harmoninë e bashkëjetesën fetare në Shqipëri e në botë.

Ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të madhe! Nderim e mirënjohje për trashëgiminë e Kryepeshkopit Anastas! U prehtë në paqe e përjetësi!”, shkruan Spiropali.

Ndërkohë, edhe kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.

Në një postim në Facebok, Basha shkruan se ky është një moment trishtimi për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe për të gjithë ata që e njihnin dhe vlerësonin veprën e tij. Ai më tej shpreh ngushëllimet e tij për besimtarët ortodoksë, klerikët dhe të gjithë ata që e kujtojnë me respekt dhe mirënjohje.

"Me trishtim mora lajmin e kalimit në amshim të Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Ky është një moment pikëllimi jo vetëm për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, por për të gjithë ata që patën fatin të njihnin dhe të vlerësonin kontributin e tij për paqen, dialogun fetar dhe veprat bamirëse në shërbim të njerëzve në nevojë.

Kryepeshkopi Anastas Janullatos do të mbetet një simbol i përkushtimit shpirtëror, i urtësisë dhe i forcës së karakterit, duke na kujtuar rëndësinë e bashkëjetesës fetare, të tolerancës dhe të dashurisë për çdo njeri. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta besimtarëve ortodoksë, klerit dhe të gjithë atyre që do ta kujtojnë gjithmonë me mirënjohje e respekt. U prehtë në paqe!", shkruan Basha.

 

Lini një Përgjigje