Ndërron jetë në një spital në Athinë, kryepeshkopi Anastas Janullatos
Kryepeshkopi i Kishës Orthodhokse Autoqefale, Anastas Janullatos është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm.
Kisha Ortothokse Autoqefale njoftoi se kryepeshkopi Anastas Janullatos u nda nga jeta rreth orës 08:30 të mëngjesit, në moshën 96-vjeçare, në spitalin “Evangelismos” në Athinë, si pasojë e mosfunksionimit të mjaftueshëm të shumë organeve.
Kryepeshkopi i Shqipërisë, ndodhej i shtruar i intubuar në Njësinë e Kujdesit Intensiv të “Evangelismos” pas operacionit që iu nënshtrua pasditen e së premtes së 10 janarit.
Ai nuk ka mundur dot t’i mbijetojë orëve kritike pas tentativës për ta nxjerrë nga intubimi, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor.
Kryepeshkopi 96-vjeçar u shtrua në një spital të Tiranës më 30 dhjetor me simptoma të infeksionit të rëndë dhe më 3 janar, pasi u përkeqësua, u transferua në spitalin grek “Evangelismos”.
Ai qëndroi në monitorim nga ekipet mjekësore greke, por së fundmi gjendja e tij u përkeqësua ndjeshëm. Janullatos pësoi një gjakderdhje të brendshme për shkak të një virusi. Edhe më herët, kishte paraqitur probleme shëndetësore.
"Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me pikëllim të thellë, njofton gjumin me Zotin e Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe mbarë Shqipërisë, Pasurisë së Tij, Anastas. Kryepeshkopi vdiq sot, më 25 janar 2025, në orën 08:30 të mëngjesit, në moshën 95-vjeçare, në spitalin “Evangelismos” në Athinë, si pasojë e mosfunksionimit të mjaftueshëm të shumë organeve. Më parë ai ishte trajtuar për disa ditë në spitalin “Hygeia” në Tiranë.
Ftojmë besimtarët ortodoksë të Kishës së Shqipërisë të luten për prehjen e shpirtit të Kryegjyshatës së ndjerë.
Hirësia e tij, Kryepeshkopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rivitalizuesi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Me vizionin e tij hyjnor dhe punën e palodhur, ai rindërtoi jetën kishtare nga themelet, ndërtoi qindra kisha, themeloi institucione arsimore dhe bamirëse dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar shërbim të pafund dhe sakrificë për më shumë se 33 vjet.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!", thuhet në njoftimin e Kishës.
Detaje nga homazhet
Trupi i tij do të prehet në Shqipëri pasi ky ishte një amanet i Kryepeshkopi për dekadat që ka kaluar në vendin tonë. Ai u vendos prej vitit 1992 në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale.
Gjithashtu është rregull i Kishës Autoqefale, që Kryepeshkopët të prehen në vendin ku kanë shërbyer dhe jo në vendin e lindjes. Ndërkohë, pritet mbledhja e Sinodit të Shenjtë për të përcaktuar detajet dhe për të marrë vendimet në lidhje me ceremoninë mortore.
Reagimet për humbjen e Janullatos
Politika shqiptare ka shprehur mesazhe ngushëllimi në lidhje me ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Presidenti Bajram Begaj ka reaguar gjithashtu pas ndarjes nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i shtetit ka vlerësuar figurën e Kryepeshkopit ndërsa ka ngushëlluar besimtarët për humbjen. Begaj shprehet se Shqipëria humbi sot udhëheqësin dhe shembullin e palodhur të përkushtimit shpirtëror.
Ish-Presidenti i Ilir Meta, ka reaguar gjithashtu nga qelia për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili u shua mëngjesin e sotëm në moshën 96-vjeçare. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se Kryepeshkopi Janullatos do të mbetet një udhëheqës i veçantë shpirtëror dhe trashëgimia e tij do mbetet gjithmonë e gjallë.
Edhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Ajo theksoi se Kryepeshkopi kontribuoi në harmoninë e bashkëjetesën fetare në Shqipëri e në botë.
Ndërkohë, edhe kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Në një postim në Facebok, Basha shkruan se ky është një moment trishtimi për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe për të gjithë ata që e njihnin dhe vlerësonin veprën e tij. Ai më tej shpreh ngushëllimet e tij për besimtarët ortodoksë, klerikët dhe të gjithë ata që e kujtojnë me respekt dhe mirënjohje.
Kush ishte kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas Janullatos?
Ai ishte një ndër hierarkët e rëndësishëm të Kishës Orthodhokse dhe kishte miq nga e gjithë bota. Anastas Janullatos drejtoi Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për 33 vite.
Në 1991 Anastas u caktua nga Patriarku Ekumenik Eksark, Patriarkal në Shqipëri. Vizitën e parë në Shqipëri e bëri më 16 korrik 1991, Anastas Janullatos. Për ta pritur në aeroportin e "Rinasit" dolën një grup besimtarësh orthodhoksë, por edhe dashamirës e klerikë të besimeve të tjera, por asnjë përfaqësues i qeverisë shqiptare.
U fronëzua në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare më 2 gusht 1992, plot 33 vite më parë në moshën 63 vjeçare duke i rezistuar referendumit të vitit 1994 ku qeveria e atëhershme futi në projektligj një nen që i ndalonte udhëheqësit fetarë me nënshtetësi të huaj të ushtronin detyra fetare. Me 6 nëntor Referendumi u rrëzua me votë popullore. Për Shkëlqesinë e tij ardhja në Shqipëri ishte pjesa e tretë e tri periudhave të jetës.
Përmes vështirësive të shumta, ringriti nga gërmadhat Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë: u riorganizuan më tepër se 400 famulli; u themelua Akademia Theologjikë “Ngjallja e Krishtit” në Durrës dy Lice kishtarë; shkolloi dhe dorëzoi 159 klerikë. Ai themeloi 50 qendra rinore në qytete të ndryshme. U kujdes për përkthimin dhe botimin e librave liturgjikë dhe të librave të tjerë fetarë. U ndërtuan 155 kisha të reja, u restauruan 63 të tjera dhe u riparuan më tepër se 160 kisha ekzistuese, si dhe 75 qendra kishtare Vepra totale ndërtuese arrin në afro 500 ndërtesa.
Katedralja Ngjallja e Krishtit, e vendosur në qendër të Tiranës e cila është kisha e tretë më e madhe ortodokse në Evropë është një ndër dhuratat e Hirësisë së tij për popullin shqiptar. Ajo u hap zyrtarisht në 24 qershor 2012, për të festuar 20 vjetorin e ringjalljes së Kishës Ortodokse Shqiptare dhe zgjedhjen e Kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Hirësia e tij e lidhi Kishën e Shqipërisë me organizata ndërkombëtare kishtare dhe ishte anëtar themelues i Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë dhe të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.
Gjatë tensioneve politike midis Greqisë dhe Shqipërisë, kontribuoi në zbutjen e tyre dhe në afrimin e dy vendeve. Nëpërmjet iniciativave dhe veprës së tij u është ofruar punë mijëra vetëve; u krijuan vepra serioze të strukturës sociale dhe Kisha Orthodhokse e Shqipërisë është bërë një faktor multidinamik shpirtëror dhe faktor progresi.
Kryepiskopi Anastas ishte njohës i thellë në fushën e Historisë së Feve dhe të dialogut ndërfetar. Kontributi i tij i rëndësishëm në Hierapostullimin e Krishterë, në Teologji dhe në bashkëjetesën paqësore të popujve dhe të komuniteteve fetare është i njohur botërisht.
Në vitin 2000, pas propozimit të Akademisë Athinës dhe shumë personalitete të Shqipërisë, ishte kandidat për Çmimin Nobel të Paqes. Ndërsa i janë akorduar shumë dekorata dhe çmime nga vende të ndryshme.
Lini një Përgjigje