Pas përfundimit të zgjedhjeve në Kosovë, analistët kanë komentuar rreth pritshmërive të mundshme pas kësaj maratone zgjedhore që ka kapur Kosovën prej 16 muajsh.
Avenir Peka, analisti i njohur, komentoi se është e mundshme një koalicion mes Vetëvendosjes dhe LDK-së dhe ai tha gjithashtu se sipas tij ka gjasa që Osmani të jetë sërish Presidente e Kosovës.
“E bukura do ishte sikur Vjosa Osmani të zgjidhej Presidente prapë, edhe unë besoj që ka shans. Edhe Albin Kurti pavarësisht rezultatit nuk krijon dot as qeveri dhe as merr dot Presidentin, edhe sikur të shkojë te minoritetet. Atij i duhet një nga dy partitë e madhe të Opozitës për të bërë koalicion. Përshtatshmërish LDK-ja është më afër për të bërë koalicion dhe unë gjykoj pas tre palë zgjedhjesh. Palët duhet të gjejnë një kompromis edhe kam përshtypjen që duke parë dhe entuziazmin e LDK-së sonte kam përshtypjen që do jetë një qeverisje koalicioni mes LDK-së dhe VV.”, tha Avenir Peka.
Ndërkohë Albin Kurti, deklaroi pas fitores në zgjedhjet në Kosovë, se kjo fitore tregon se kjo dekadë është dekada “e qeverisjes së Vetëvendosjes”.
“Fitorja e radhës tregon që kjo dekadë është e qeverisjes së Vetëvendosjes. Ju falenderoj nga zemra për të gjithë angazhimin dhe përpjekjen që Vetëvendosja të vijojë me qeverisjen e saj demokratike. Ne bëjmë bashkë sigurinë e kufijve dhe mirëqenien e qytetarëve; bëjmë bashkë kujdesin për fëmijë e të moshuar”, tha fillimisht Kurti.
Kurti theksoi gjithashtu se Kosova e ka Presidenten e saj.
“Vetëvendosja ka garancinë e mirëqeverisjes. Unë jam kryeministri juaj, herë kryeministri në detyrë, herë në detyrë si kryeministër. Kosova e ka dhe Presidentin, ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu. Ajo që i mungon Kosovës nuk është qeveria apo Presidenti, por Kuvendi. Fatkeqësisht, blloku opozitar nuk shkon në punë. Ne shkojmë në punë dhe jemi të interesuar që opozita të shkojë sa më shpejt në punë”, deklaroi Kurti.
Pas rezultateve të para edhe kandidatja për presidente nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, ka folur pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare, ku kjo parti ka marrë 17,69 për qind.
“Dua edhe njëherë t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për përkrahjen që na kanë dhënë në këto zgjedhje, të cilat, përkundër kohës tepër të shkurtër që kishim në dispozicion për fushatë dhe për të prezantuar vizionin tonë, e rritën LDK-në apo votën elektorale për rreth 34 për qind, apo tani jemi në 20 mandate, e që është rritja më e madhe që ka pasur cilido subjekt politik që ka garuar në këto zgjedhje.”, tha Osmani në konferencë për media.
Lini një Përgjigje