
Partia Demokratike e ka të përcaktuar në statut se kandidatët për deputetë përzgjidhen përmes votës së anëtarësisë, në një proces të njohur si primaret, një garë e brendshme mes demokratëve, që të në shkuarën ka rezultuar përçarëse. Për këtë shkak, nënkryetari i PD, Gazment Bardhi nuk është partizan i primareve.
Megjithatë, gjatë intervistës për RTSH, ai tha se në diskutimet e forumeve ka kërkuar që, nëse procesi do të bëhet, duhet të bëhet me rregulla që nuk çojnë në hatërmbetje mes anëtarësisë para zgjedhjeve.
“Besoj se statuti do të zbatohet, përsa kohë që nuk është ndryshuar. Ajo që po diskutohet dhe po tregohet shumë kujdes është që nga ky process i brendshëm të mos ketë pasoja që destablizojnë PD-në. Kjo kërkon që çdo garë e brendshme të bëhet me rregulla të qarta që në nisje, me etikën e duhur dhe me transparencë”, u shpreh ai.
Bardhi tha për emisionin “Pa Censurë” se qëllimi final i këtij procesi nuk duhet të jetë se kush do të bëhet deputet, por fitorja e PD-së.
“Çdo proces i brendshëm duhet të synojë forcimin e PD-së, fitoren e PD-së. Hatërmbetjet vetëm sa rrezikojnë fitoren e PD-së. Nëse kjo sigurohet me apo pa primare, do të diskutohet me shumë seriozitet, duke patur gjithmonë parasysh objektivin: fitoren e PD-së”, u shpreh Gazment Bardhi.
Me procesin e primareve komplikohet edhe pjesëmarrja e aleatëve të koalicionit, të cilët, për shkak të sistemit, duhet të përfshihen në listën e deputetëve të PD.
Formula që do të zgjedhin është në diskutim, por ajo që nënkryetari i PD-së thotë me siguri, është se partitë e reja, që kanë deklaruar se do të dalin të vetme në zgjedhje, nuk do të kenë sukses.
Lini një Përgjigje