
Avokati Romeo Kara duke folur në emisionin “Studio Live” në Report Tv për primaret në PD tha se ky proces do të përçajë edhe më tej këtë parti, ndërsa parashikoi se do të ishte i dështuar.
E megjithëse i konsideroi Primaret si një proces të domosdoshëm për çdo parti me synim ndryshimin e gjendjes politike, Kara tha se ato nuk mund të realizohen me kryetarë që bëjnë lista dhe marrin zvarrë partitë.
“Nëse do ndryshojmë frymën e politikës në Shqipëri Primaret duhet të jenë në çdo parti politike. Duke rrëzuar konceptin e padronit të partisë, që lë litarin jashtë dhe mban zvarrë partinë. Mendoj se Primaret s’do jenë të suksesshme sepse nuk mund të bëjnë primare kryetarët e partive që bëjnë ndryshime jodemokratike në Kodin Zgjedhor. Kod Zgjedhor antikushtetues dhe antiligjor, janë po këta që bëjnë listat, përzgjedhin. Kush është i fortë te Berisha apo në terren dhe kush te PS. Njerëzit e aftë përballen me pengesa të panumërta. Po njerëzit e sigurte, kush i vë ata? Mbetet e paqartë, të jenë lista të hapura, me lista dhe të votohet në mënyrë të hapur, emri dhe partia. Ai që del i pari merr vendin e duhur. Se mund të marri votat dikush me punën e Liljanës (Kuçanës) dhe dikush tjetër fiton që i kreh flokët doktorit. Punon kali dhe ha gomari, fiton servili”, tha juristi.
Kurse si shkak të dytë për primaret në PD, avokati thotë alibinë që po gjen Berisha pas tyre apo nëse humbet zgjedhjet.
“Një tjetër arsye është alibia e Berishës nëse humbet nesër, do thotë ja i zgjodhi partia, i bëmë të hapura dhe lan veten. Me sondazhe unë nuk i besoj më, për taktikën e zgjedhur nga PS. Sepse zgjedhja më e madhe bëhet nga një person në listë. Kemi pengmarrje të tmerrshme politike për të nxjerrë alternativa”, shprehet Kara.
Madje shkon më tej, duke kujtuar se mund të ketë ndonjë vendim nga Gjykata për vulën, teksa vë theksin edhe te morali politik.
“Primare themi, por mos i iki vula? Sepse e kemi ende në proces, mund të kemi ndonjë vendim gjykate më pas. Me vulë të vjedhur, të bësh Primare të ndershme, kjo nuk shkon! Nuk do jenë të suksesshme. Berisha ka probleme me të nesërmen dhe po mendon alibinë. Po mendon kujt t’ia japi, atyre besnikëve apo të bazës e qendrës. Për të thënë s’e kisha unë në dorë, ai do i bëjë me dhunë Primaret, do i realizojë. Ka pasur disa shejtanë që janë bërë shkaku për dëbimin e njerëzve nga Shqipëria dhe një prej tyre, më kryesori, është Sali Berisha”, shpjegon juristi.
Por ai vuri theksin edhe tek autorët e ndryshimit të Kodit Zgjedhor dhe votën e Diasporës.
“Ata që bëjnë këto ndryshime të paligjshme duhen çuar në burg. Medemek demokraci, por është vjedhokraci! Këta dy që u morën me votën (Gjiknuri dhe Bylykbashi) le të konkurrojnë direkt dhe të shikojmë sa fitojnë në përballje të hapur. Por me kodin, hajdutët, zyrat, pallatet dhe oligarkët, nuk është garë e ndershme. Ku janë 1,7 mln shqiptarë që nuk votojnë? Po flitet se SHBA do shtyjë zgjedhjet. Njerëzit duan ndryshim, nuk duan më partitë dhe politikën e vjetër. Unë mendoj se zgjedhjet e 11 Majit do jenë fiktive, sepse dy partitë e mëdha do dalin të parat përsëri. Sali Berisha është simboli i të keqes, koka e kuçedrës. Pa PS-në, PD-ja vdes”.
Lini një Përgjigje