Pas dy orësh është mbyllur protesta e studentëve shqiptarë në Shkup, ku mijëra të rinj dhe qytetarë marshuan në qendër të kryeqytetit maqedonas për të kërkuar të drejtën për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Gjatë protestës u raportua edhe arrestimi i tre studentëve, lajm i konfirmuar nga organizatori i protestës, Mevlan Ademi. Deri tani autoritetet maqedonase nuk kanë dhënë detaje zyrtare mbi arsyet e ndalimit të tyre.
Marshimi kaloi nëpër qendrën e Shkupit, ndërsa “Ura e Gurit” u mbush me flamuj kuqezi dhe pankarta me mesazhe në mbrojtje të gjuhës shqipe. Protestuesit brohorisnin “Gjuha shqipe nuk negociohet”, ndërsa kërkonin respektimin e të drejtave të tyre kushtetuese.
Me pankarta në duar, studentët kërkuan dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, i cili ka kundërshtuar zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Në protestë pati gjithashtu thirrje edhe kundër kryeministrit Hristijan Mickoski.
Mes protestuesve tërhoqi vëmendje edhe pankarta e një djali të vogël me mbishkrimin “Mos ma përktheni të ardhmen!”, e cila u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale dhe u kthye në simbol të protestës.
Në marshim morën pjesë studentë dhe qytetarë shqiptarë nga Tetova, Struga, Kosova dhe treva të tjera shqipfolëse. Gjatë ditës pati raportime se autobusë me studentë nga Kosova dhe Shqipëria janë devijuar nga autostrada pas kontrolleve policore, çka organizatorët e konsideruan si përpjekje për të penguar pjesëmarrjen në protestë.
Kjo ishte protesta e dytë e madhe e organizuar nga studentët shqiptarë pas refuzimit të kërkesave të tyre nga Ministria e Drejtësisë.
Studentët argumentojnë se zhvillimi i provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është një e drejtë që buron nga Kushtetuta dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut.
Çfarë kërkojnë studentët?
Studentët argumentojnë se zhvillimi i provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është një e drejtë që buron nga Kushtetuta dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve.
Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, ligji për provimin e jurisprudencës nuk përmban asnjë dispozitë që e kufizon zhvillimin e testimit vetëm në gjuhën maqedonase.
Ndërkohë, neni 2 dhe neni 5 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve parashikojnë që institucionet shtetërore duhet të mundësojnë përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat zyrtare dhe administrative.
Një projekt-propozim për zhvillimin e provimit edhe në gjuhën shqipe ishte përgatitur nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2024, por pas ndryshimeve politike ai u hoq nga agjenda parlamentare dhe nuk u rikthye më në diskutim.
Salehu e Ramuti nuk u deklaruan sot per gjuhen shqipe.!?