TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Maj 2026, 18:13

Protesta e studentëve shqiptarë në Shkup, arrestohen 3 të rinj!

Shkruar nga Pamfleti
Protesta e studentëve shqiptarë në Shkup, arrestohen 3 të
Foto nga protesta në Shkup

Tre studentë janë arrestuar nga autoritetet maqedonase gjatë protestës së studentëve shqiptarë në Shkup, ndërsa deri tani nuk janë bërë publike arsyet zyrtare të ndalimit të tyre.

Pavarësisht incidenteve, protesta ka vijuar me marshimin e mijëra studentëve drejt Ministrisë së Drejtësisë, ku protestuesit kërkojnë respektimin e të drejtave gjuhësore dhe zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Për shkak të pjesëmarrjes së lartë, Ura e Gurit u bllokua plotësisht deri në sheshin “Filipi i Dytë”, ndërsa protestuesit marshuan me flamuj kuqezi dhe pankarta në duar.

Në tubim, përfaqësues të studentëve theksuan se protesta synon barazi dhe respekt për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

“Jemi për barazi dhe respekt dhe të gjithë bashkë do të kërkojmë të drejtat tona”, deklaroi Mevlan Ademi gjatë fjalës së tij para protestuesve.

Ai shtoi se protesta nuk do të ndalet dhe se kërkesa për përdorimin e gjuhës shqipe do të vijojë brez pas brezi.

“Ky zë nuk ndalet, kalon brez pas brezi. Çohu shqiptar për gjuhën tonë”, u shpreh ai.

Studentët e konsiderojnë zhvillimin e provimit të jurisprudencës në shqip një të drejtë kushtetuese, ndërsa organizatorët insistojnë se protesta është qytetare dhe jo politike.

Në disa zona të kryeqytetit maqedonas janë vendosur masa të shtuara sigurie dhe prezencë e forcave policore, ndërsa marshimi ka vijuar në mënyrë të organizuar në qendër të Shkupit.

protesta e studentëve në shkup arrestim

Lini një Përgjigje