TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Maj 2026, 17:52

Protesta në Shkup, studentët marshim drejt Ministrisë së Drejtësisë; kërkojnë dorëheqjen e Mickoskit

Shkruar nga Pamfleti
Protesta në Shkup, studentët marshim drejt Ministrisë së
Protesta në Shkup

Protesta e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut është përshkallëzuar këtë të hënë në Shkup, ku qindra studentë kanë marshuar drejt Ministrisë së Drejtësisë për të kërkuar zhvillimin e provimit shtetëror të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.

Me pankarta, flamuj kuqezi dhe brohoritje të vazhdueshme, protestuesit kanë bllokuar disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit maqedonas, ndërsa kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov.

Gjuha shqipe identitet, gjuha shqipe amanet, gjuha shqipe nuk negociohet”, ishte thirrja që dominoi marshimin drejt institucionit të drejtësisë.

Studentëve të jurisprudencës u janë bashkuar edhe të rinj shqiptarë nga Kosova, Tetova, Struga dhe qytete të tjera, ndërsa sipas organizatorëve, një grup studentësh nga Shqipëria nuk ka mundur të marrë pjesë pasi është bllokuar në kufi.

Atmosfera në protestë është shoqëruar me këngë patriotike, brohoritje dhe këndimin e Himnit Kombëtar shqiptar. Në mesin e turmës janë parë dhjetëra flamuj kombëtarë dhe pankarta që kërkonin respektimin e të drejtave kushtetuese të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Studentët insistojnë se zhvillimi i provimit të jurisprudencës vetëm në gjuhën maqedonase përbën diskriminim dhe bie ndesh me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

Protesta ka marrë përmasa më të gjera ditët e fundit dhe po shihet si një nga reagimet më të forta studentore në vend lidhur me çështjen e gjuhës shqipe dhe përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

shkup proteste

Lini një Përgjigje