TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Maj 2026, 17:24

“Mos ma përktheni të ardhmen”/ Mesazhi që tërhoqi vëmendjen në protestën në Shkup, studentët shqiptarë këndojnë himnin!

Shkruar nga Pamfleti
“Mos ma përktheni të ardhmen”/ Mesazhi që
Foto nga protesta për gjuhën shqipe në Shkup

Vijon protesta për gjuhën shqipe në Shkup. Mes mijëra protestuesve, vëmendje të veçantë ka marrë një djalë i vogël që mban në duar pankartën me mbishkrimin: “Mos ma përktheni të ardhmen!”.

Fotografia e tij është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe është komentuar nga ndjekës në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe diaspora shqiptare.

Studentët thonë se kërkesa e tyre lidhet me respektimin e të drejtave gjuhësore dhe zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

“Kjo që po bëjmë ne është e detyrueshme. Bëhet fjalë për të ardhmen tonë. Duhet të flitet shqip. Kjo na takon me të vërtetë”, deklaroi një student i Shkencave të Komunikimit gjatë protestës.

Arlinda Emini, studente në Fakultetin Juridik të Universitetit “Nënë Tereza”, tha se protesta është organizim studentor dhe se të rinjtë nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.

“Ne nuk do të dorëzohemi. Është një e drejtë që na takon. Është problem i institucioneve, por me brezin tonë do realizohen shumë çështje që nuk janë realizuar më herët”, u shpreh ajo.

Në mbështetje të protestës foli edhe studenti Lavdrim Hajrullahi, i cili paralajmëroi vijimin e protestave deri në plotësimin e kërkesave.

“Shpresojmë që të arrihet zgjidhje. Ne do të vazhdojmë protestat dhe nuk do të ndalemi. Kjo nuk është çështje partiake, është çështje gjuhe dhe të drejtash”, deklaroi ai.

“Mos ma përktheni të ardhmen”/ Mesazhi që

Gjatë protestës, studentët kanë kënduar himnin kombëtar dhe kanë marshuar me flamuj kuqezi e pankarta mbështetëse. Në disa momente janë dëgjuar edhe thirrje në kor, ndërsa në terren janë vërejtur forca të shtuara policore, veçanërisht në zonën përreth Urës së Gurit në Shkup.

protesta për gjuhën shqipe në shkup

Lini një Përgjigje