Përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, gazetarë dhe aktorë të shoqërisë civile ngritën shqetësimin për sfidat me të cilat po përballet media, gjatë një konference të zhvilluar në Tiranë mbi lirinë e shtypit dhe sigurinë e gazetarëve.
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, deklaroi se gazetaria mbetet një institucion kyç për llogaridhënien demokratike, ndërsa paralajmëroi se sfidat ndaj medias nuk janë më të izoluara, por po shfaqen në të gjithë Europën dhe më gjerë.
Në fjalën e tij, diplomati theksoi se rënia e besimit te institucionet, korrupsioni dhe polarizimi publik po ndikojnë drejtpërdrejt edhe mbi median dhe hapësirën publike.
“Gazetaria është një institucion ku duhet të jepet llogari. Hapësirat publike po marrin forma të reja dhe sfidat që shohim sot janë të përbashkëta në shumë vende. Përpjekjet për mbrojtjen e medias duhet të mbështeten mbi vlera demokratike dhe dialog”, u shpreh Tarran.
Ai kërkoi forcimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e kushteve më të sigurta për ushtrimin e profesionit, duke nënvizuar se siguria sot nuk lidhet vetëm me territoret, por edhe me mbrojtjen e hapësirës publike dhe informimit të lirë.
Ambasadori i OSBE-së vlerësoi gjithashtu zhvillimet e fundit në Shqipëri në drejtim të rritjes së transparencës mbi pronësinë e mediave dhe detyrimet ligjore të sektorit, por theksoi se nevojiten hapa të mëtejshëm.
Sipas tij, komuniteti mediatik në Shqipëri mbetet aktiv dhe me rol të rëndësishëm në debatin publik.
“Zëri i gazetarëve duhet të dëgjohet më shumë dhe ata duhet të angazhohen në proceset vendimmarrëse. Është e nevojshme të forcohet transparenca dhe mbrojtja ligjore për median”, deklaroi Tarran.
Në konferencë foli edhe përfaqësuesi ndërkombëtar Jan Braathu, i cili e cilësoi lirinë e medias si një nga shtyllat themelore të demokracisë dhe paralajmëroi për rritjen e presioneve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.
“Pa sigurinë e gazetarëve nuk mund të ketë media të lirë. Kërcënimet ndaj tyre nuk duhet të mbeten pa ndëshkim”, tha Braathu.
Ai theksoi se gazetaria mbetet një e mirë publike dhe një element thelbësor për funksionimin e një shoqërie demokratike, duke kërkuar më shumë angazhim institucional për mbrojtjen e profesionit.
Lini një Përgjigje