Policia e burgut të Peqinit zhvilloi këtë të hënë një kontroll të befasishëm në ambientet e institucionit të vuajtjes së dënimit. Kontrollet u përqendruan në godinën B, sektori nr. 2, në dhomën 11 të katit të parë.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë kontrollit në qeli, Indrit Shaqja mbante në mënyrë të kundërligjshme një telefon celular në gjendje pune. u gjet një telefon celular në gjendje pune, i ndezur dhe në karikim. Në të njëjtin ambient u sekuestrua edhe një USB.
Pas konstatimit të rastit, autoritetet e burgut njoftuan strukturat e SHKBB-së për vijimin e procedurave dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaroi se kontrollet për evidentimin e sendeve të ndaluara në institucionet penitenciare do të vijojnë.
"Në bazë të të dhënave operative, strukturat e Policisë së vetë institucionit ushtruan kontroll blic në godinën B, sektori nr. 2, dhoma 11, kati i parë. Gjatë kontrollit, të dënuarit me iniciale I.SH. iu gjet dhe sekuestrua një telefon celular në gjendje pune, i ndezur dhe në karikim, si edhe një USB. Për rastin u njoftuan menjëherë strukturat e SHKBB-së për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vijon luftën pa kompromis ndaj futjes dhe posedimit të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit."-njofton Drejtoria e Burgjeve.
Kush është Indrit Shaqja?
Indrit Shaqja është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy të moshuarave në Durrës në vitin 2014. Ai u shpall fajtor për vrasjen e motrave Elsa dhe Gjinovefa Vava, të cilat u dhunuan dhe u mbytën në banesën e tyre gjatë një grabitjeje.
Shaqja, me origjinë nga Shijaku, u ekstradua nga Spanja pas ngjarjes dhe gjatë procesit gjyqësor mori përsipër autorësinë e krimit. Për të njëjtën çështje u dënuan me burg përjetë edhe Vilson Elmazi dhe Artur Kaçanolli, nipi i viktimave.
Sipas hetimeve, autorët hynë në banesën e dy të moshuarave për të grabitur para dhe sende me vlerë. Ngjarja shkaktoi reagim të gjerë për shkak të dhunës së ushtruar ndaj viktimave.
Lini një Përgjigje