TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Nëntor 2023, 20:24

“Shqipëria si Ruanda”, mediat italiane: Emigrantët që refuzoi Tunizia, vendosi t’i marrë Edi Rama!

Shkruar nga Pamfleti
“Shqipëria si Ruanda”, mediat italiane: Emigrantët që
Pakti i firmosur sot

Giorgia Meloni ka thënë disa herë se dëshiron të ndjekë modelin e Rishi Sunak dhe politikat e tij në lidhje me migrimin e parregullt, duke përfshirë planin e kritikuar të Ruandës...

Mediat italiane vijojnë të hedhin dritë mbi paktin e arritur sot për emigrantët. Rama udhëtoi sot në Romë dhe vendosi që në Lezhë të ngrihet një kamp për refugjatët që policia kufitare italiane kap në brigjet e saj.

Rama nuk dha asnjë detaj në konferencë shtypi, por Meloni ishte ajo që tha se do jenë dy qendra. Sipas mediave italiane, emigrantët do strehohen në Gjadër, ndërsa në Shëngjin do bëhet procesi i regjistrimit dhe i procedurave. Por mediat kanë treguar se Shqipëria do të përfundojë si Ruanda, e cila mori emigrantët nga Britania.

Stranieri in Italia” shkruan se Italia ka tentuar një pakt me Tunizinë, por ai dështoi dhe Meloni shfrytëzoi miqësinë me Ramën për të arritur një pakt të tillë, kjo edhe sa i takon halleve të saj me BE.

Pas dështimit të marrëveshjes me Tunizinë dhe përballë rritjes së ardhjes së emigrantëve që u trefishua në krahasim me vitin 2022, qeverisë Meloni iu desh të përveshë mëngët për të mos humbur plotësisht besueshmërinë në lidhje me dosje e emigrantëve. Dhe kështu erdhi marrëveshja me Shqipërinë dhe bashkëpunimi për menaxhimin e flukseve migratore. Në veçanti, “marrëveshja parashikon ngritjen e qendrave të emigrantëve në Shqipëri që mund të përmbajnë deri në 3 mijë persona”. Për më tepër, e pasuron bashkëpunimin me një element të mëtejshëm, shpjegoi Meloni”, shkruan media italiane.

Sipas portalit, Italia është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, me tregtinë që përfaqëson afërsisht 20% të PBB-së së Shqipërisë. Dhe memorandumi i mirëkuptimit, i cili synon të ndërthurë bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor, parashikon krijimin e qendrave të emigrantëve në Shqipëri të afta për të pritur deri në 3000 persona. Për më tepër, ky hap u mirëprit si një hap themelor në luftën kundër imigracionit të paligjshëm në Evropë, me idenë se asnjë shtet anëtar nuk mund ta trajtojë i vetëm fenomenin, vijohet më tej.

Ndërsa “il Riformista” shkruan se Meloni ndoqi të njëjtën metodë që bëri Rishi Sunak, i cili arriti paktin me Ruandën për të dërguar emigrantët. Sipas medias italiane edhe Shqipëria do të shndërrohet në një Ruandë të vogël.

Giorgia Meloni ka thënë disa herë se dëshiron të ndjekë modelin e Rishi Sunak dhe politikat e tij në lidhje me migrimin e parregullt, duke përfshirë planin e kritikuar të Ruandës, i cili parashikon që vendi afrikan të presë mijëra azilkërkues. Marrëveshja e kryeministrit italian me Tiranën është në vijën e asaj britanike, megjithëse nuk është e sigurt nëse do të ketë rregullime ekonomike në favor të Shqipërisë, siç Londra ka parashikuar për Kigalin (kryeqyteti i Ruandës)”, thekson portali.

Por pakti ka sjellë edhe kritika nga ana e politikës italiane. Pierfrancesco Majorino, kreu i Sekretariatit të Politikave të Migracionit në Partisë Demokratike e ka cilësuar si të rrezikshëm paktin.

"Nuk është e qartë se si mund të menaxhohen refugjatët dhe aq më pak se si mund të ndodhin riatdhesimet në mungesë të marrëveshjeve dypalëshe. Qeveria vazhdon të nxjerrë trarin e rrezikshëm mbi sytë tanë duke injoruar atë që ne kemi mbështetur prej disa kohësh dhe kemi deklaruar më parë bashkë me Presidentin Mattarella: Duhen rrugë të reja ligjore. Ky duhet të jetë terreni prioritar mbi të cilin duhet punuar". Për më tepër, ne mendojmë se beteja duhet të rifillojë në Evropë për të ndryshuar rregullat që rrjedhin nga marrëveshjet e Dublinit dhe për të ndodhur një rishpërndarje e vërtetë e detyrueshme e menaxhimit të pritjes. Zgjedhje që nënkuptojnë strategji të qarta dhe transparente", tha ai. /Pamfleti

Lini një Përgjigje