Putin e ka futur Shqipërinë në ‘listë të zezë’, por rusët e krahasojnë me Greqinë dhe Turqinë sa i takon turizmit...
Shqipëria duket se është kthyer në një destinacion kryesor për turistët rusë. Edhe pse ata janë nën sanksione dhe në luftë me Ukrainën, duket se preferojnë të udhëtojnë dhe një pjesë mjaft e madhe e shohin vendin tonë si idealin për të pushuar. Të paktën kështu shkruajnë disa media ruse.
Portali “News Info” i Rusisë ka bërë një artikull mbi këtë çështje, ku autori i shkrimit tregon se ka qenë vetë në Shqipëri. Madje, sipas tij, Turqia dhe Greqia nuk kanë asgjë më shumë se Shqipëria.
“Shqipëria ka qenë prej kohësh në hijen e fqinjëve të saj, Greqi, Mali i Zi dhe Itali. Por vitet e fundit, vendi është shfaqur si një destinacion i ri për turistët që kërkojnë Mesdheun pa turma dhe pagesa të tepërta. Shqipëria laget nga detet Adriatik dhe Jon. Vendpushimet e Sarandës dhe Ksamilit krahasohen gjithnjë e më shumë me ishujt grekë. Plazhet variojnë nga rëra e bardhë deri te gjiret me guralecë, dhe deti është kristal i pastër dhe i ngrohtë deri në tetor. Avantazhi kryesor për rusët është kostoja e pushimeve. Hotelet, qiraja dhe ushqimi janë shumë më të lira këtu sesa në Greqi apo Itali. Darka në një restorant me ushqime deti do të kushtojë gjysmën e çmimit në vendet fqinje. Shqipëria nuk ka ende turizëm masiv, kështu që atmosfera mbetet e thjeshtë dhe e sinqertë. Taverna të vogla, tregje lokale, verë e bërë në shtëpi – e gjitha kjo krijon një ndjesi të Mesdheut "të vërtetë", siç ishte 20 vjet më parë”, thuhet në artikull.
Një shkrim i ka kushtuar edhe “24 Travel” në gjuhën ruse, ku reklamon lumin e Shalës. “Ky lumë ofron ujëra mahnitëse ngjyrë bruz dhe peizazhe të gjelbra, si në xhungël, duke krijuar një aventurë ekzotike në zemër të Evropës. Ideale për pushimet e vjeshtës, Shqipëria gëzon temperatura të këndshme dhe të buta prej rreth 25 gradësh gjatë tetorit, dhe dielli i këndshëm e bën atë ideale për dashamirësit e plazhit në fund të sezonit. Me ujërat e saj të kristalta dhe majat e nefritit, Shqipëria mund të ngatërrohet me një nga ishujt e largët të Tajlandës”, thekson artikulli.
Por artikujt vijnë në një kohë kur ambasada ruse është ankuar se qeveria shqiptare këtë herë refuzoi të heqë vizat për turistët që vijnë nga Rusia. Herët e tjera, Rama ka bërë lëshime, por këtë herë u qendroi sanksioneve perëndimore. Fakti që shumë rusë vijnë në vend do të thotë se atyre u është aprovuar viza gjithsesi.
Elementi tjetër është se Rusia e ka futur Shqipërinë në listën e “vendeve armike”. Madje, kemi pasur edhe përplasje dhe dëbime diplomatësh. Por duket se për rusët është vendi ideal për të pushuar.
Duhet theksuar se Shqipëria, që nga nisja e luftës, ka qenë destinacioni kryesor i turistëve nga Ukraina dhe nga Rusia, teksa në vendet e Evropës është dhënë alarmi se një pjesë e tyre përdoren nga Moska si agjentë sekretë. Në vitin 2021 u gjetën të vdekur në pishinë 4 turistë rusë në Qerret dhe ngjarja ende sot ka shumë mistere. Po ashtu, rusja Svetlana Timofeeva, e arrestuar më 2022 nga autoritetet shqiptare dhe e akuzuar për spiunazh, vendosi të kërkojë azil në Shqipëri sepse i rrezikohej jeta në Moskë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje