TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Gusht 2025, 20:24

Zjarret, alarm në Vlorë dhe Skrapar; në aksion edhe helikopterët e Emirateve

Shkruar nga Pamfleti

Zjarret, alarm në Vlorë dhe Skrapar; në aksion edhe

Shqipëria vijon të përballet me situata të rënda zjarresh në disa zona të vendit, ndërsa përpjekjet për shuarjen e tyre janë intensifikuar nga ajri dhe toka. Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC ka raportuar se nga ora 09:00 deri në 19:30 të datës 26 gusht 2025 janë regjistruar gjithsej 12 vatra zjarri. Prej tyre, 8 janë shuar, 4 janë ende aktive dhe 1 është nën monitorim të vazhdueshëm.

Ndër zonat më të rrezikuara është pylli i Pishë-Poros në Novoselë, bashkia Vlorë, ku zjarri i nisur që dje në fshatin Delisuf ka marrë përmasa të mëdha për shkak të erës së fortë. Në terren janë angazhuar dhjetëra forca të emergjencës, përfshirë 20 efektivë të BMEC, 40 ushtarakë, forca zjarrfikëse nga Vlora dhe strukturat vendore. Në ndihmë janë vënë edhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 helikopterë të ardhur nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Situata është kritike, ndërsa përpjekjet janë përqendruar për të ndaluar përhapjen e flakëve drejt kanalit të hidrovorit.

Një tjetër vatër shqetësuese është në fshatin Bogovë të Skraparit, ku zjarri ka nisur dje rreth orës 16:30 në një hangar dhe më pas është përhapur në sipërfaqe pyjore me pisha. Aty janë angazhuar 7 automjete zjarrfikëse me 22 efektivë nga Skrapari, Berati dhe Poliçani, 5 forca të shërbimit pyjor, si dhe trupa të ushtrisë dhe bashkisë. Sipërfaqja e djegur ka arritur deri më tani rreth 18 hektarë dhe për shkak të erës janë riaktivizuar disa vatra të vogla brenda zonës së djegur. Aktualisht nuk ka rrezik për banesat.

Në Parkun Natyror të Gërmenjit, afër kufirit me Greqinë, zjarri është riaktivizuar në afërsi të piramidës 15. Forcat zjarrfikëse nga Kolonja kanë ndërhyrë në mes të piramidave 14 dhe 15. Ndërhyrja ka stabilizuar përkohësisht situatën, e cila do të vazhdojë të mbahet në monitorim.

Në Pezë Helmës të Tiranës, një vatër zjarri mbetet aktive në një terren të vështirë, pa rrugëkalime dhe me bimësi të dendur. Zjarrfikësit ndodhen në gatishmëri të vazhdueshme për të mbrojtur banesat që ndodhen pranë, edhe pse larg nga vatra kryesore.

Ndërkohë, është bërë izolimi dhe shuarja e plotë e vatrave në tetë lokalitete: Vrepckë (Kolonjë), Fushë Farkë (Tiranë), Stajkë (Vau i Dejës), Shtoi i Ri (Shkodër), Peshtan i Madh (Fier), autostrada Laç-Lezhë, Shumbat (Dibër) dhe Potgorcë (Dibër).

Autoritetet vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet intensive në terren, ndërsa mbeten të shqetësuara për rrezikun e riaktivizimeve për shkak të kushteve atmosferike dhe terrenit të vështirë. Situata është ende në zhvillim dhe kërkon vëmendje maksimale.

Lini një Përgjigje