
Qytetarët prisnin që SPAK të shkonte te “peshqit e mëdhenj”, mirëpo dosjet për ta mbahen në sirtar. Ilir Meta dhe Sali Berisha kanë mbi dy vite që po hetohen, për ta nuk ka asnjë zhvillim...
Bie numri i procedimeve të reja nga SPAK. Ndonëse Prokuroria e Posaçme e nisi me vrull punën kur u krijua, duket se besimi po venitet dhe bashkë me të edhe kallëzimet penale.
Kur u themelua SPAK kishte në dorë afro 700 dosje, ku shumica u transferuan nga Krimet e Rënda, por nga ana tjetër kishte dhe bum padish. Mirëpo sipas statistikave nga viti në vit paditë po bien dhe bashkë me to edhe procedimet penale.
Qytetarët prisnin që SPAK të shkonte te “peshqit e mëdhenj”, mirëpo dosjet për ta mbahen në sirtar. Ilir Meta dhe Sali Berisha kanë mbi dy vite që po hetohen, mirëpo për ta nuk ka asnjë zhvillim. Altin Dumani krenohet me arrestimin e Lefter Kokës, Alqi Bllakos apo Vangjush Dakos, ndërkohë që qytetarët presin të jenë në qeli ata që na kanë ‘rrjepur’ në 30 vite.
Për tu rikthyer te thelbi, sipas të dhënave zyrtare, SPAK ka ulur ndjeshëm numrin e procedimeve penale 3 vitet e fundit. Dumani ishte dje në Këshillin e Integrimit Europian dhe njoftoi se në 9 muajt e parë të 2023 ka pasur vetëm 151 procedime të reja penale.
“Për periudhën nga 1 Janari 2023 e deri më 30 Shtator 2023 janë regjistruar 151 procedime penale me 133 persona nën hetim. Nga këto, nën hetim janë gjithsej 13 procedime penale me 15 persona persona nën hetim, ish-funksionarë të lartë publikë publike, ku përfshihen dhe ish-funksionarë të drejtësisë, si më poshtë: 1 ish-ministër, 1 ish-zëvendësministër, 6 ish-kryetarë bashkie, 2 sekretarë të përgjithshëm, 3 ish-gjyqtarë, 1 ish-prokuror”, tha ai.
Por nëse shohim shifrat e dy viteve të mëparshme, vihet re se çdo vit bien procedimet. Një vit më parë ka pasur 257 procedime të reja. Edhe pse viti aktual nuk është mbyllur ende, sado që mund të ketë zhvillim, sërish numri mbetet i ulët krahasur me vjet.
“Në Prokurorinë e Posaçme për periudhën e vitit 2022 janë hetuar gjithsej 712 procedime penale, nga të cilat 455 procedime penale janë mbartur nga viti 2021, ndërsa 257 procedime penale janë regjistruar gjatë vitit 2022 si procedime penale të reja”, thuhet në raportin vjetor të prokurorisë të një viti më parë.
Ndërsa për vitin 2021 statistikat janë: gjithsej 715 procedime penale, nga të cilat 352 procedime penale janë mbartur nga viti 2020, ndërsa 363 procedime penale janë regjistruar nga Prokuroria e Posaçme gjatë vitit 2021 si proçedime penale të reja.
Pra duket sikur ritmi i SPAK po bie nga viti në vit. Dumani u justifikua dje se janë ngarkuar me korrupsionin e nivelit të ulët, por shifrat tregojnë qartë se zvarritjet e çështjeve po bëjnë që ritmi të bjerë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje