
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me hetimin e SPAK për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla.
Burime për mediat bëjnë me dije se Memolla, veç hetimeve nga SPAK për tërmetin, është nën akuzë edhe për korrupsion në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022.
Sot kryebashkiakut i është komunikuar akuza dhe hetimi që ka lidhje me fakte të bëra publike nga një qytetare ku SPAK-u disponon materialin e kërcënimit të qytetares gjatë zgjedhjeve lokale në Rrogozhinë.
Bëhet fjalë për një përgjim sipas të cilit pretendohet se Memolla paguante faturat e energjisë elektrike të qytetarëve të Rrogozhinës në këmbim të votave.
Për këtë akuzë, Memolla po hetohet nga prokurori Edvin Kondili.
I pyetur nga gazetarët, Memolla nuk ka dhënë asnjë prononcim për çfarë u pyet në SPAK.
Kujtojmë se dy ditë më parë, u raportua se kryebashkiaku i Rrogozhinës është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion.
Memolla po hetohet pas denoncimeve se ka abuzuar me tenderat e pastrimit të qytetit, por edhe se kanë firmosur dëmshpërblime mbi dëmtimet e banesave nga tërmeti.
Lini një Përgjigje