Shtohet numri i socialistëve që i kanë ngrënë Edi Ramës kumbullat pas shpine. SPAK ka marrë nën hetim dy kryebashkiakë të tjerë socialistë, të cilët rrezikojnë prangat.
Burimet i thanë Top Channel se kryetari i Bashkisë së Kamzës Rakip Suli dhe kryebashkiaku i Rrogozhinës Edison Memolla, po hetohen nga prokurori i posaçëm Elvin Gokaj, pas denoncimeve që i dyshojnë të dy zyrtarët se kanë abuzuar me tenderat e pastrimit të qytetit, por edhe se kanë firmosur dëmshpërblime mbi dëmtimet e banesave nga tërmeti.
SPAK nuk i ka marrë ende në pyetje dy shefat e pushtetit lokal por ka bërë gati ftesat për të pyetur punonjës të bashkive respektive. Në të dhënat paraprake të përftuara nga hetimi dyshohet se disa qytetarë kanë përftuar dy herë dëmshpërblim për të njëjtin objekt.
Ndërkohë, në shtator banorët e Kamzës bënë një tjetër kallëzim për Rakip Sulin. Avokatja Adriana Kalaja në një deklaratë për mediat renditi edhe arsyet e kallëzimit. Sipas saj në SPAK kanë dorëzuar auditimin e KLSH, ku janë konstatuar shumë shkelje.
“Ne kemi sot kemi paraqitur mënyrën si njoftohen këshilltarët bashkiakë për të bërë mbledhjet online, kjo në kundërshtim me ligjin për vetëqeverisjen vendore, por edhe në kundërshtim me vetë rregulloren e këshillit bashkiakë.
Këshilltarët e opozitës kanë kohë që i kanë kërkuar kryetarit të bashkisë dhe të këshillit bashkiak për ti vënë në dispozicion një rregullore sesi funksionin këshilli bashkiak dhe kjo rregullore edhe sot që kemi ardhur në SPAK nuk vihet në dispozicion”, tha ajo.
Mbetet të shihet nëse SPAK do ndjekë standardin aktual me kryebashkiakët, pasi i ka arrestuar të gjithë.
Lini një Përgjigje