
Presidenti i Francës, Emanuel Macron, ka mbërritur mbrëmjen e sotme (16 tetor) në Tiranë, ku dhe do të zhvillojë një vizitë zyrtare.
Për ta pritur ka dalë zv.kryeministrja Belinda Balluku për shkak se kryeministri Edi Rama ndodhet në samitin e Procesit të Berlinit që është drejt përfundimit të punimeve.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kryeministri Edi Rama, i cili deklaroi se Macron ka mbërritur në aeroportin e Rinasit.
“Dita për disa prej jush përfundon këtu, por për mua vazhdon ende pasi Presidenti i Francës sapo ka mbërritur. Na duhet të vijojmë më pjesën tjetër të këtyre ditëve me vizitën e parë të një presidenti francez në tokën tonë. Mirëpritja jonë duhet të shkëlqejë edhe në mbrëmje”, tha Rama.
Për shkak se e shtyu me disa orë vizitën e tij, Macron ka humbur punimet e samitit BE-Ballkani Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit edhe pse më herët e kishte konfirmuar pjesëmarrjen.
Ndërkohë është zbardhur agjenda e takimit të ditës së nesërme (17 tetor) ku Macron se do të takohet me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Agjenda e plotë:
Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Nesër më 17 tetor 2023 Presidenti francez do të takohet me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Më poshtë agjenda e vizitës në Presidencë:
8:25 -Mbërritja e Presidentit të Republikës Franceze në Institucionin e Presidentit të Republikës.
Presidenti i Republikës franceze do të pritet nga Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj.
-Interpretohet himni kombëtar francez;
-Interpretohet himni kombëtar shqiptar;
-Kryhet kalimi para truprojës së nderit;
-Dy krerët e shteteve prezantojnë ekipet e tyre respektive.
Presidenti i Republikës së Francës ftohet të nënshkruajë në librin e të ftuarve.
Në hollin ”Nënë Tereza” do të bëhet fotoja zyrtare.
08:35 – 09:05 – Takim kokë më kokë mes dy presidentëve.
Lini një Përgjigje