
Një i plagosur me armë zjarri e tjetri me thikë, janë pasojat e ngjarjes së ndodhur mesditën e djeshme në Vorë.
Protagonistë janë 2 vëllezër, njëri prej të cilëve oficer ushtrie dhe një 34-vjeçar. Burime zyrtare të policisë thonë se gjithçka ndodhi teksa dy vëllezërit Kidi Muzhaqi dhe Ermal Muzhaqi (24 dhe 27 vjeç) ndodheshin në makinë dhe 34-vjeçari Ergest Hoxha plagosi me thikë në krah 24-vjeçarin Kidi Muzhaqi.
Policia e Tiranës ndërkohë ka dhënë detaje të reja sa i takon ngjarjes.
Nga hetimet paraprake, policia thotë se 34-vjeçari Ergest Hoxha i është afruar makinës ku ndodheshin dy vëllezërit Kidi Muzhaqi dhe Ermal Muzhaqi (24 dhe 27 vjeç) dhe ka tentuar të vrasë më thikë 24-vjeçarin. Në këtë moment reagoi vëllai i tij 27-vjeçar i cili e qëlloi me armën e shërbimit, duke qenë se ishte oficer ushtrie dhe e plagosi 34-vjeçarin Hoxha.
I plagosur mbeti edhe 24-vjeçari Kidi Muzhaqi. Në njoftimin për mediat, policia thotë se motivet e kësaj ngjarjeje janë ende të paqarta. Po ashtu policia vuri në pranga Ermal Muzhaqin dhe Ergest Hoxhën.
"Në vijim të informacionit paraprak të dhënë për ngjarjen e ndodhur mesditën e djeshme, në Vorë, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës ndaluan shtetasit:
– E. M., 27 vjeç dhe E. H., 34 vjeç, të dy banues në Vorë.
Nga veprimet hetimore të kryera për këtë ngjarje dyshohet se ditën e djeshme, rreth orës 12:20, në Vorë, shtetasi E. H. i është afruar automjetit me drejtues shtetasin E. M. dhe pasagjerë shtetasit K. M. dhe B. A., dhe për motive ende të paqarta, ka tentuar që të vrasë me thikë shtetasin K. M. Në këtë moment ka ndërhyrë drejtuesi i automjetit, shtetasi E. M. (oficer ushtrie), i cili ka plagosur me armën e shërbimit, shtetasin E. H.
Shtetasit K. M. dhe E. H. ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.
Policia ka sekuestruar armën e zjarrit pistoletë dhe mjetin prerës thikë, të përdorura në këtë ngjarje, si dhe aparatet celulare të shtetasve të përfshirë.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për përcaktimin e shkakut të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.", njofton policia.
Lini një Përgjigje