Kuvendi do të vendosë sot lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, ish-zv.Kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës. Këshilli për Mandatet dhe Imunitetet do të paraqitet me dy raporte, krejtësisht të kundërt, sa i takon qëndrimit lidhur me kërkesën e SPAK.
Ky i fundit ka kërkuar në Kuvend autorizimin për vendosjen e një mase sigurie me arrest ndaj ish-zv.Kryeministres, e cila fillimisht u pezullua nga funksionet qeveritare dhe më pas u shkarkua nga Kryeministri Edi Rama, pasi edhe Gjykata Kushtetuese la në fuqi një vendim të GJKKO-së për pezullimin e saj si ministre.
Ndërkohë opozita ka thirrur një protestë para Kuvendit, çka ka bërë që Parlamenti të zhvillojë punimet nën masa të forta sigurie. Jo vetëm barriera metalike dhe punonjës policie, por edhe një perimetër sigurie është vendosur nga Garda e Republikës. Kjo e fundit madje ka vendosur në tarracën e godinës efektivë që do të vëzhgojnë nga lart çdo lëvizje të protestuesve.
Nuk është hera e parë që strukturat e sigurisë vëzhgojnë nga lartësitë protestat. Sa herë që ka pasur tubime, veçanërisht nga demokratët, efektivët e Gardës, qëndrojnë në tarracat e godinave, nga ku vëzhgojnë dhe ndoshta informojnë për precipitimet e situatave.
Lini një Përgjigje