Sot do të mbahet në GJKKO seanca e rradhës paraprake për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili prej shkurtit 2025 ndodhet në arrest me burg me kërkesë të SPAK. Seanca pritet të nisë rreth orës 11:00, ndërsa kjo është në vijim të seancave të mëparshme në kuadër të vlerësimit të dosjes.
Prokuroria Speciale ka kaluar dosjen për gjykim në GJKKO, por ende nuk ka një vendim të gjyqtarit nëse çështja do të kalojë ose jo.
Për gjykim është dërguar edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, si dhe 28 persona e shoqëri të tjera, pjesë e dosjes.
SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj.
Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave. Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash.
Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Lini një Përgjigje