TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Shkurt 2026, 07:49

“Ajo do të bëjë çdo lloj pune”/ Dokumentet në dosjen “Epstein”, zbardhet email i ri për vajzën shqiptare

Shkruar nga Pamfleti
“Ajo do të bëjë çdo lloj pune”/ Dokumentet
Jeffrey Epstein 

Dosjet e deklasifikuara që lidhen me hetimet federale amerikane ndaj Jeffrey Epstein po nxjerrin në pah detaje të reja mbi mënyrën se si funksiononte rrjeti i tij i rekrutimit dhe ndërmjetësimit. Mes materialeve të publikuara së fundmi nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së përfshihen edhe komunikime ku përmenden dy vajza shqiptare, njëra prej të cilave rezulton të ketë jetuar në Nju Jork në kohën e shkëmbimeve elektronike.

Një prej dokumenteve kyçe është një email i datës 29 mars 2017, i regjistruar me titullin “kandidatët kryesorë”, në të cilin një person me identitet të redaktuar i paraqet Epstein-it disa profile vajzash të sugjeruara për punësim. Ndër to, vëmendje të veçantë merr një vajzë shqiptare që, sipas përshkrimit, ndodhej në Nju Jork dhe shprehej e disponueshme për të kryer “të gjitha llojet e punës”. Në të njëjtin komunikim theksohet se rasti i saj paraqiste vështirësi për shkak të statusit të dokumenteve.

Sipas përmbajtjes së email-it, Epstein-it i ishte dërguar edhe një video e vajzës, ndërsa kërkohej konfirmim nëse ai dëshironte të hynte në kontakt me të apo ta takonte personalisht. Në dokument nënvizohet se vajzat e tjera të sugjeruara nuk jetonin në Nju Jork, çka e bënte rastin e vajzës shqiptare të spikatur.

Në të njëjtën dosje përfshihet edhe një rast tjetër që lidhet me një vajzë shqiptare, e cila gjatë vitit 2017 kishte aplikuar për një pozicion si asistente personale përmes një ndërmjetësi. Në një email informues drejtuar Epstein-it, ndërmjetësi sqaronte se aplikantja ishte rreth 21–22 vjeçe dhe kërkonte udhëzime nëse ajo duhej ftuar për intervistë.

Dokumentet tregojnë se vajza kishte dorëzuar CV-në, fotografi personale si dhe një video prezantuese. Megjithatë, informacioni mbi vendndodhjen e saj rezulton i paqartë dhe kontradiktor: në CV ajo deklaronte se jetonte në Tiranë, ndërsa në një komunikim tjetër thuhej se ndodhej në Paris. Në një email drejtuar vetë Epstein-it, e reja pyeste nëse fakti që nuk ndodhej në Shtetet e Bashkuara përbënte pengesë për një punësim të mundshëm.

Referenca ndaj Shqipërisë shfaqen edhe në disa email-e të tjera të përfshira në të njëjtën dosje, të datuara në vitet 2010 dhe 2013, ku përmendjet ndaj shqiptarëve bëhen kryesisht në kontekste personale dhe joformale.

Dokumentet e publikuara nuk ofrojnë të dhëna mbi atë nëse kontaktet e përmendura çuan në takime apo bashkëpunime konkrete, por ato hedhin dritë mbi mënyrën e komunikimit dhe proceset e përzgjedhjes që përdoreshin brenda rrethit të Epstein-it.

 

jeffrey epstein  zbardhet email i ri për vajzën shqiptare

Lini një Përgjigje