TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 1 Shkurt 2026, 18:16

8 orë të bllokuar nga rrëshqitja e masivit shkëmbor, zhbllokohet lëvizja në aksin Librazhd-Qafë Thanë

Shkruar nga Pamfleti
8 orë të bllokuar nga rrëshqitja e masivit shkëmbor,
Pamje nga aksi Librazhd-Prrenjas

Zhbllokohet pas 8 orësh kalimi me një korsi në segmentin e bllokuar të rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas, i cili u bllokua pasi një masiv i madh gurësh dhe dheu rrëshqiti nga mali duke bllokuar totalisht rrugën në të dyja drejtimet.

I bllokuar prej orës 11:00 aksi rrugor Librazhd–Qafë Thanë, në zonën e njohur si Kthesa e Dragostunjës, bëri të pamundur qarkullimin e mjeteve duke shkaktuar trafik kilometrik.

Njëra prej korsive është hapur duke i dhënë ‘frymëmarrje’ makinave të ngecura në një radhë prej 20 kilometrash në të dyja anët.

Bllokimi i rrugës preku edhe një auto-ambulancë e cila po transportonte një grua të sëmurë drejt Spitalit të Elbasanit. Situata detyroi transportimin e saj me barelë për të kaluar përmes lumit nga ana tjetër e rrugës, si shkak i bllokimit të plotë nga masivët shkëmborë.

Shpati ku ndodhi rrëshqitja është pjesë e punimeve për ndërtimin e një segmenti të trasesë së re rrugore, në kuadër të projektit të njohur si Koridori VIII, ku aktualisht po operon kompania “ANK” sh.p.k.

Pas ndërhyrjes së menjëhershme me mjete të rënda dhe angazhimit të ekipeve në terren, u bë i mundur pastrimi i plotë i aksit dhe rifillimi i qarkullimit të automjeteve në të dy drejtimet.

Autoritetet rrugore u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në këtë zonë, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe paralajmërimet, veçanërisht në segmentet ku vijojnë punimet.

Teksa qëndruan 8 orë të bllokuar gra, fëmijë dhe të moshuar, policia rekomandoi drejtuesit e mjeteve, që të përdorin aksin rrugor Maliq-Lozhan-Moglicë-Gramsh-Elbasan për të udhëtuar drejt Tiranës.

Bllokimi i rrugës përkoi me ditën e diel ku qindra pushues kthehen nga juglindja dhe ky aks rrugor është shumë i ngarkuar.

Lini një Përgjigje