Ivanka Trump "notoi" drejt një ishulli mesdhetar prej 1.400 hektarësh. Tani ajo dhe Jared Kushner mendojnë të ndërtojnë atje një resort me vlerë 1.5 miliardë dollarë…
Ivanka Trump dhe Jared Kushner po udhëheqin një zhvillim masiv të turizmit luksoz në ishullin e Sazanit në Shqipëri, një ish-repart ushtarak. Në një video, ajo tregon se notoi drejt ishullit. Projekti prej 1.4 miliardë eurosh synon të transformojë ishullin e paprekur prej 1.400 hektarësh në një destinacion ekskluziv me hotele, vila dhe infrastrukturë për ekoturizëm.
Ivanka Trump, vajza e presidentit amerikan Donald Trump, ka zbuluar se notoi drejt një ishulli mesdhetar prej 1.400 hektarësh, jashtë rrjeteve të infrastrukturës moderne, për të eksploruar projektin e saj të ardhshëm. Ai ishull, i mbetur kryesisht i paprekur dhe i izoluar për dekada të tëra, ndodhet tani në qendër të një prej zhvillimeve më ambicioze të turizmit luksoz në Mesdhe.
Së bashku me bashkëshortin e saj, Jared Kushner, Ivanka mbështet një projekt gjigant resorti në bregdetin e ashpër të Shqipërisë, i cili mund të ndryshojë një nga rajonet e fundit bregdetare të pazhvilluara në Evropë.
Projekti është përqendruar në ishullin e Sazanit, një ish-repart ushtarak i vendosur mes detit Adriatik dhe atij Jon.
Ivanka kishte treguar më parë se ishte mahnitur nga bukuria natyrore e ishullit pas eksplorimit të zonës. Ishulli mbeti kryesisht i paarritshëm për dekada për shkak të historisë së tij ushtarake dhe ende përmban gjurmë të bunkerëve të vjetër dhe infrastrukturës mbrojtëse.
"Po punoj për një projekt të jashtëzakonshëm me bashkëshortin tim në Mesdhe. Është gjigant... një ishull prej 1.400 hektarësh në mes të Mesdheut. U ndalëm për të notuar dhe kështu e zbuluam. Notuam deri në ishull, u ngjitëm në majë dhe thjesht mbetëm të mahnitur", dëgjohet të thotë Ivanka Trump në një video që tashmë është bërë virale.
View this post on Instagram
Sipas saj, projekti që synon realizimin e potencialit të ishullit të Sazanit kërkon kujdes dhe përmbajtje për mbrojtjen e tokës. Ajo sqaron se projekti i Sazanit dhe Zvërnecit, pavarësisht përmasës, nuk është vetëm një biznes, por edhe një sfidë për të.
“Me kalimin e viteve krijuam mundësinë për të ndihmuar në realizimin e potencialit të tij dhe për ta transformuar, por me shumë kujdes dhe përmbajtje, sepse toka është aq e bukur sa arkitektura duhet të integrohet plotësisht me të, pothuajse të lindë prej saj. Në fakt, për mua nuk është as biznes, pavarësisht përmasës së projektit.
Përveç ishullit, kemi edhe rreth pesë milje vijë bregdetare përballë tij, një gadishull të mrekullueshëm me lagunë në njërën anë dhe det në anën tjetër, me plazhe të bukura me rërë të bardhë. Për mua kjo ndihet më shumë si një sfidë se sa si një biznes. Është kulmi i gjithë përvojës sime në pasuritë e paluajtshme, i gjithë udhëtimeve të mia dhe i reflektimeve të shumta mbi mënyrën se si dua të jetoj dhe si mendoj se gjithnjë e më shumë njerëz duan të jetojnë”, tha ajo.
Vizioni dhe imagjinata, janë dy elementët që Ivanka i sheh si të lidhur fort në suksesin e projektit të saj për të cilin ajo do të bashkëpunojë me disa prej mjeshtërit më të mëdhenj të kohës për të sjellë një projekt për të cilin, sicc thotë ajo, duhen vite në mos më shumë se një dekadë.
“Po përpiqemi të ndërtojmë diçka që e pasqyron konkretisht këtë vizion. Kjo kërkon shumë imagjinatë dhe bashkëpunimin e disa prej mjeshtërve më të mëdhenj që ekzistojnë sot. Sapo isha atje duke ecur nëpër terren, duke u përpjekur ta përjetoja vendin së bashku me disa prej arkitektëve më të mëdhenj të kohës sonë, mjeshtër të vërtetë të profesionit të tyre, njerëz me integritet.
Njerëz që nuk bëjnë kompromis me vizionin e tyre dhe pikërisht këtë duam të krijojmë edhe atje. Jemi shumë të emocionuar për këtë projekt. Kur punon me artistë të vërtetë, pavarësisht nëse mediumi i tyre është piktura, muzika apo pasuritë e paluajtshme, ata nuk bëjnë kompromis. Integriteti i tyre është i saktë dhe absolut. Ata sfidojnë veten dhe sfidojnë edhe të gjithë njerëzit përreth tyre. Kur punon me një arkitekt, ekziston gjithmonë një ekuilibër.
Në fund të fundit, ata nuk po ndërtojnë thjesht një monument. Po krijojnë një hapësirë me të cilën njerëzit duhet të ndërveprojnë. Ata duhet të jetojnë aty, të martohen aty, dhe nëse është hotel, ai bëhet shtëpia e tyre për një periudhë kohe. Nuk ka asgjë më të shëmtuar sesa një hapësirë e bukur, por jo funksionale.
Për mua, ajo nuk është një kryevepër, sepse nuk është menduar deri në fund. Kur arrin të bashkosh një arkitekturë me kuptim, të bukur dhe të menduar mirë me një hapësirë shumë funksionale, atëherë krijon diçka të veçantë. Një nga gjërat që dua tek pasuritë e paluajtshme është se janë diçka konkrete në një botë ku gjithnjë e më shumë gjëra nuk janë të tilla. Ti sheh rezultatin e viteve të tëra pune. Për të sjellë në jetë një projekt të tillë duhen vite, ndonjëherë edhe më shumë se një dekadë”, tha Trump.
Çfarë do ndërtojnë saktësisht?
Plani i zhvillimit parashikon transformimin e ishullit në një destinacion luksoz të nivelit të lartë. Sipas miratimeve të Qeverisë shqiptare dhe detajeve të projektit të publikuara deri më tani. Propozimi përfshin:
Hotele luksoze dhe vila private;
Marinë dhe infrastrukturë bregdetare;
Hapësira ekskluzive për mikpritje dhe aktivitete rekreative;
Infrastrukturë turistike me fokus te qëndrueshmëria mjedisore;
Punime në shkallë të gjerë për restaurimin e peizazhit dhe pastrimin e territorit.
Vlera e investimit është llogaritur në rreth 1.4 miliardë euro (afërsisht 1.5 miliardë dollarë), duke e bërë atë një nga projektet më të mëdha turistike të propozuara ndonjëherë në Shqipëri. Autoritetet presin që zhvillimi të krijojë rreth 1.000 vende pune gjatë fazës së ndërtimit dhe operimit.
Pse ishulli i Sazanit është ndryshe?
Ndryshe nga shumë destinacione mesdhetare që kanë përjetuar zhvillim intensiv ndër vite, ishulli i Sazanit ka mbetur pothuajse i paprekur.
Ishulli shtrihet në qindra hektarë dhe njihet për shkëmbinjtë e tij dramatikë, gjiret e fshehura, tunelet ushtarake dhe biodiversitetin e pasur. Për shkak të dekadave të kufizimeve në akses, pjesa më e madhe e vijës së tij bregdetare ka mbetur në gjendje natyrore.
Mbështetësit e shohin si një mundësi për turizmin
Zyrtarët shqiptarë e kanë promovuar projektin si një mundësi për të tërhequr turistë ndërkombëtarë me të ardhura të larta dhe për të përshpejtuar zhvillimin e sektorit turistik të vendit.
Qeveria shqiptare i ka dhënë statusin e investitorit strategjik një kompanie të lidhur me planet e zhvillimit të Kushnerit, duke i mundësuar projektit të ecë përpara në fazat e vlerësimeve mjedisore dhe planifikimit.
Riviera Shqiptare është bërë gjithnjë e më popullore vitet e fundit falë ujërave të saj të kristalta me ngjyrë bruz, kostove më të ulëta krahasuar me shumë destinacione të Evropës Perëndimore dhe plazheve relativisht të pazhvilluara.
Shqetësimet mjedisore vazhdojnë të rriten
Grupet mjedisore dhe organizatat për mbrojtjen e natyrës kanë ngritur shqetësime lidhur me ndikimin që ndërtimet në shkallë të gjerë mund të kenë mbi ekosistemet e ishullit dhe zonat e mbrojtura bregdetare pranë tij. Disa organizata kanë kërkuar shqyrtim më të hollësishëm të planeve, duke argumentuar se rajoni përmban habitate të vlefshme dhe specie detare që mund të preken nga zhvillimi.
Ky debat e ka shndërruar projektin në një nga zhvillimet turistike më të vëzhguara në Ballkan.
Ajo që raportohet se nisi me eksplorimin e një ishulli të largët mesdhetar nga Ivanka Trump është shndërruar në një projekt miliardë dollarësh që mund të transformojë një ish-post ushtarak të harruar në një qendër të turizmit luksoz.
Nëse do të shndërrohet në një model të turizmit elitar dhe të qëndrueshëm apo do të mbetet një burim polemikash, projekti i ishullit të Sazanit tashmë ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare dhe po e vendos bregdetin shqiptar në qendër të vëmendjes globale. /Pamfleti/
Kuptohet pse e quan repart ushtarak???. Eshte baze ushtarake e fuuuuuuuqishme, me tunele per nendetse, spital etj etj, Kjo baze dhe pasuri nuk mund te merret nga aaaaaaskush. As ne perdorim per 5 vjet....100 vjet. Eshte pasuri e shqiptarve. Larg duart e gjata!
kot te pyes kur e ka thene kete? dje?
Perpjekje te Edi Rames per te perpunuar e poshteruar opinionin dhe revolten popullore kunder abuzimeve me pronat ne Shqiperi e se fundmi ne Zvernec. SPAK te hetoje paanshmerisht deri ne fund. Njerzit te mos ndikohen nga manipulimet e Rames.
Ik moj pipiruqe, ju ka dale boja ne te gjithe boten per te korruptuar.