Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Samiti BE-Ballkani Perëndimor/ Antonia Costa sot në Tiranë; pritet të takohet me Ramën
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ndodhet në një tur diplomatik në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në prag të Samitit BE–Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi.
Në kuadër të kësaj vizite rajonale, Costa do të qëndrojë sot në Tiranë, ku do të zhvillojë takime me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj. Gjatë vizitës në kryeqytetin shqiptar, ai do të takohet gjithashtu me studentë të Kampusit të Tiranës të Kolegjit të Evropës.
Sipas njoftimit të Agjencisë për Media dhe Informim, kryeministri Rama do të presë Presidentin e Këshillit Evropian në kuadër të konsultimeve diplomatike që paraprijnë samitin rajonal të Tivatit.
Samiti BE–Ballkani Perëndimor do të mbahet vetëm gjashtë muaj pas takimit të fundit në Bruksel, duke reflektuar angazhimin e vazhdueshëm të Bashkimit Evropian për forcimin e marrëdhënieve me vendet e rajonit.
Pas takimit bilateral mes delegacioneve, i planifikuar nga ora 11:15 deri në 12:00, Rama dhe Costa do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp, e cila do të zhvillohet nga ora 12:15 deri në 12:45.
“Pallati i Kongreseve do të rilindë”/ Rama zbulon planin: Do krijojmë polin turistik në zemër të Tiranës
Pallati i Kongreseve, një nga godinat më emblematike të kryeqytetit, pritet t’i nënshtrohet një transformimi të thellë arkitekturor dhe funksional, me synimin për ta kthyer atë në një qendër moderne aktivitetesh kulturore dhe një destinacion të ri turistik për Tiranën.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të projekt-ideve të pesë skuadrave finaliste në Konkursin Ndërkombëtar për Rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve, një proces që sipas tij është pjesë e strategjisë së transformimit urban të kryeqytetit dhe menaxhimit të ri të aseteve publike.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se ndërtesa aktuale përballet me probleme serioze infrastrukturore dhe teknike, të cilat kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
“Pallati i Kongreseve, nga pikëpamja e infrastrukturës së brendshme, ka probleme serioze për t’u adresuar. Tani është koha për transformim duke ruajtur identitetin e tij”, deklaroi kryeministri.
Sipas Ramës, projekti nuk synon vetëm rikonstruksionin e godinës ekzistuese, por edhe zhvillimin urban të zonës përreth, duke krijuar hapësira të reja që do të rrisin funksionalitetin dhe atraktivitetin e kësaj pjese të qytetit.
Ai shpjegoi se thirrja për bashkëpunim me sipërmarrjen private parashikon zhvillimin e një ose disa objekteve pranë Pallatit të Kongreseve, të cilat do të integrohen me vizionin e ri të kompleksit.
Gënjeshtrat greke për Zvërnecin/ Media e Athinës vë në pikëpyetje historinë shqiptare
Zvërneci duket se po krijon një përplasje të re mes Athinës dhe Tiranës zyrtare, ndërsa Greqia po shfrytëzon në maksimum situatën e krijuar, duke përdorur shkeljen e të drejtave të minoritetit dhe cënimin e pronave të pretenduara.
I gjithë sulmi i dirigjuar nga Athina prej të shtunës, kur edhe ndodhi përplasja në Zvërnec, po trajtohet si grabitje e pronave të minoritarëve grekë, ndërsa në thelb duket se shqetësimi që ka Greqia ka të bëjë me investimin në Zvërnec, që sipas deklaratave publike të Kryeministrit Edi Rama mund të arrijë në 4.5 miliardë euro.
Athina zyrtare dhe më pas mediat greke kanë shfrytëzuar nga momenti i parë incidentin e ndodhur në Zvërnec mes një qytetari protestues dhe disa civilëve, që paraqiten si roje sigurie në një kompani private, duke krijuar deri diku një tymnajë që në fakt duket se lidhet drejtpërsëdrejti jo me ndonjë cënim të drejtash, por me shqetësimin që krijohet nga projekti miliardash që nëse realizohet, mund të konkurojë drejtpërsëdrejti turizmin elitar në të gjitha Rajonin, përfshi edhe Greqinë.
Seanca për Gërdecin në GJKKO/ Mungon Fatmir Mediu; në sallë i vëllai dhe Geraldo Durda
Në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion po zhvillohet seanca e radhës ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes në qeverinë Berisha, Fatmir Mediu, i marrë i pandehur për çështjen e Gërdecit.
Mediu nuk është i pranishëm në seancë, pasi ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në sallë ndodhen vëllai i tij, si dhe Geraldo Durda, i cili humbi vëllain 7-vjeçar nga shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec.
Për të disatën seancë me radhë, avokatët mbrojtës të Mediut kanë kundërshtuar provat shkencore të paraqitura nga SPAK. Kundërshtimet lidhen kryesisht me përcaktimin e Gërdecit si zonë për demontimin e armëve, si dhe me përcaktimin ligjor që ndan kalibrat në të mëdhenj dhe të vegjël.
Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK janë shkelur procedurat për ngritjen e fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar, si dhe procedurat që lidhen me municionet. Ish-ministri i ka kundërshtuar akuzat dhe gjetjet e ekspertëve.
Çështja ndaj Mediut u rihap pas 12 vitesh, me iniciativën e familjes Durda, e cila humbi një familjar në shpërthimin e 15 marsit 2008 në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”. Nga shpërthimi humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë mbetën të plagosur.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje