TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Qershor 2026, 10:22

“Pallati i Kongreseve do të rilindë”, Rama zbulon planin: Do krijojmë polin turistik në zemër të Tiranës

Shkruar nga Pamfleti
“Pallati i Kongreseve do të rilindë”, Rama zbulon planin:
Edi Rama zbulon planin për Pallatin e Kongreseve

Kryeministri zbulon planet për rikualifikimin e godinës ikonike, ndërsa 5 skuadra finaliste prezantojnë projektet në konkursin ndërkombëtar...

Pallati i Kongreseve, një nga godinat më emblematike të kryeqytetit, pritet t’i nënshtrohet një transformimi të thellë arkitekturor dhe funksional, me synimin për ta kthyer atë në një qendër moderne aktivitetesh kulturore dhe një destinacion të ri turistik për Tiranën.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të projekt-ideve të pesë skuadrave finaliste në Konkursin Ndërkombëtar për Rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve, një proces që sipas tij është pjesë e strategjisë së transformimit urban të kryeqytetit dhe menaxhimit të ri të aseteve publike.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se ndërtesa aktuale përballet me probleme serioze infrastrukturore dhe teknike, të cilat kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.

“Pallati i Kongreseve, nga pikëpamja e infrastrukturës së brendshme, ka probleme serioze për t’u adresuar. Tani është koha për transformim duke ruajtur identitetin e tij”, deklaroi kryeministri.

Sipas Ramës, projekti nuk synon vetëm rikonstruksionin e godinës ekzistuese, por edhe zhvillimin urban të zonës përreth, duke krijuar hapësira të reja që do të rrisin funksionalitetin dhe atraktivitetin e kësaj pjese të qytetit.

Ai shpjegoi se thirrja për bashkëpunim me sipërmarrjen private parashikon zhvillimin e një ose disa objekteve pranë Pallatit të Kongreseve, të cilat do të integrohen me vizionin e ri të kompleksit.

“Qëllimi përfundimtar është që ky objekt të vijë në kohë nga pikëpamja e teknologjisë, e cilësisë së hapësirave dhe e gjithë strukturës së riorganizuar. Ky pallat dhe kjo zonë duhet të bëhen një destinacion tjetër i Tiranës turistike dhe i kryeqytetit të aktiviteteve kulturore”, u shpreh Rama.

Kryeministri nënvizoi se transformimi i kësaj zone do të sjellë më shumë gjallëri urbane, duke i dhënë fund izolimit funksional që, sipas tij, e ka karakterizuar prej vitesh këtë hapësirë.

“Të mos e lëmë më një ishull pa jetë, por të ndodhë ajo që ka ndodhur me zonën e stadiumit, e cila nga një hapësirë e pashfrytëzuar është shndërruar në një pol të rëndësishëm të jetës së kryeqytetit”, tha ai.

Në konkursin për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve, pesë skuadra finaliste paraqitën vizionet e tyre arkitekturore për të ardhmen e objektit. Projektet do të vlerësohen nga juria ndërkombëtare, e cila do të përzgjedhë zgjidhjen fituese që pritet të përcaktojë transformimin e një prej ndërtesave më të rëndësishme publike të vendit.

Rikualifikimi i Pallatit të Kongreseve konsiderohet një nga ndërhyrjet më të mëdha urbane të viteve të fundit në Tiranë, me synimin për të modernizuar infrastrukturën ekzistuese, për të rritur aktivitetin kulturor dhe për ta kthyer zonën në një qendër të re të jetës ekonomike, sociale dhe turistike të kryeqytetit.

Shteti si zotërues aktiv i aseteve publike

Në fjalën e tij, Rama foli edhe për modelin e ri që po ndjek qeveria në administrimin e pronave shtetërore, duke theksuar se institucionet publike po largohen nga praktikat e së kaluarës, ku asetet publike jepeshin për zhvillim me përfitime të kufizuara për shtetin.

“Shteti adreson nevojat e veta duke vënë në dispozicion asetet që zotëron, njësoj siç bëjnë të gjithë pronarët legjitimë. Jo më si në të kaluarën, kur ato jepeshin për zhvillim me kosto dhe përfitime simbolike, por duke u kthyer në një zotërues të madh asetesh me vlerë”, deklaroi ai.

Sipas kryeministrit, kjo qasje po kontribuon jo vetëm në forcimin e rolit të shtetit si administrator i pasurisë publike, por edhe në përmirësimin e cilësisë urbane dhe arkitekturore të projekteve që po realizohen.

Ai kujtoi se ende ekzistojnë institucione publike që operojnë në ambiente me qira, duke krijuar kosto të vazhdueshme për buxhetin e shtetit, ndërsa projektet e reja synojnë shfrytëzimin më efikas të pronave publike.

15 konkurse ndërkombëtare të realizuara

Kryeministri bëri të ditur se deri më tani janë zhvilluar 15 konkurse ndërkombëtare për projekte të rëndësishme publike, ndërsa tre të tjera janë në proces përgatitjeje.

“Të gjitha konkurset janë realizuar sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, jo vetëm për pjesëmarrjen e arkitektëve më të njohur, por edhe për procedurat e ndjekura”, tha Rama.

Ai shtoi se deri tani janë lidhur 12 kontrata, ndërsa shtatë të tjera ndodhen në proces finalizimi.

rama pallati i kongreseve plani

1 Komente

  1. k
    kulla

    nguli 1 alamet kulle me investitor strategjik

    Lini një Përgjigje