Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ndodhet në një tur diplomatik në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në prag të Samitit BE–Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi.
Në kuadër të kësaj vizite rajonale, Costa do të qëndrojë sot në Tiranë, ku do të zhvillojë takime me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj. Gjatë vizitës në kryeqytetin shqiptar, ai do të takohet gjithashtu me studentë të Kampusit të Tiranës të Kolegjit të Evropës.
Sipas njoftimit të Agjencisë për Media dhe Informim, kryeministri Rama do të presë Presidentin e Këshillit Evropian në kuadër të konsultimeve diplomatike që paraprijnë samitin rajonal të Tivatit.
Samiti BE–Ballkani Perëndimor do të mbahet vetëm gjashtë muaj pas takimit të fundit në Bruksel, duke reflektuar angazhimin e vazhdueshëm të Bashkimit Evropian për forcimin e marrëdhënieve me vendet e rajonit.
Pas takimit bilateral mes delegacioneve, i planifikuar nga ora 11:15 deri në 12:00, Rama dhe Costa do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp, e cila do të zhvillohet nga ora 12:15 deri në 12:45.
“Kryeministri Rama do të mikpresë Presidentin e Këshillit të Europës, Antonio Costa
Agjencia për Media dhe Informim ju bën me dije se Kryeministri Rama do të mikpresë të martën më 2 qershor 2026, Presidentin e Këshillit të Europës, Antonio Costa, i cili viziton Tiranën, në kuadër të vizitave diplomatike, në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në prag të Samitit BE–Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi.
Samiti po mbahet gjashtë muaj pas samitit të fundit në Bruksel, duke riafirmuar forcimin e marrëdhënieve të BE-së me Ballkanin Perëndimor.
Nesër, pas takimit të përbashkët mes dy delegacioneve, Kryeministri Rama dhe Presidenti i Këshillit të Europës Antonio Costa do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
11.15 – 12.00 Takim bilateral mes dy delegacioneve
12.15 – 12.45 Konferencë e përbashkët për shtyp”, thuhet në njoftimin për mediat.
Lini një Përgjigje