Mbi 26,600 maturantë në të gjithë vendin kanë nisur provimet e Maturës Shtetërore, ku sot ata do të testohen në gjuhën e huaj.
Testimi nis në orën 10:00 dhe do të përfundojë në orën 12:30, në përputhje me kalendarin e miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Për zhvillimin e procesit janë ngritur 144 qendra provimi në të gjithë territorin e vendit, ndërsa më shumë se 170 monitorues të Ministrisë së Arsimit po ndjekin nga afër ecurinë dhe respektimin e procedurave gjatë testimit.
Sipas kalendarit zyrtar, pas provimit të gjuhës së huaj, maturantët do t’i nënshtrohen provimit të gjuhës shqipe më 9 qershor, atij të matematikës më 16 qershor, ndërsa provimi i lëndës me zgjedhje do të zhvillohet më 23 qershor.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, ka deklaruar se përgatitjet për Maturën Shtetërore kanë nisur që në muajin dhjetor 2025, me miratimin e rregullores së re dhe publikimin e testeve model për maturantët. Sipas saj, procesi është paraprirë edhe nga testime provë në qendrat e provimeve, ku janë simuluar të gjitha kushtet e zhvillimit të testit, përfshirë organizimin logjistik dhe masat e sigurisë.
Kumbaro ka bërë të ditur se rregullorja e këtij viti parashikon masa më të rrepta krahasuar me vitin e kaluar, duke përcaktuar në mënyrë më të qartë detyrimet, përgjegjësitë dhe sanksionet për administratorët dhe strukturat e përfshira në proces.
Ndërkohë, gjatë zhvillimit të provimeve mbetet i ndaluar përdorimi i telefonave celularë, orëve inteligjente dhe çdo pajisjeje tjetër elektronike. Ministrja ka paralajmëruar se çdo shkelje e këtij rregulli do të sjellë përjashtimin e menjëhershëm të maturantit nga provimi.
Lini një Përgjigje